Ndërlidhjet

BE paralajmëron Italinë për “shpenzimet ambicioze”


Komisionari për Ekonomi i BE-së, Pierre Moscovici.
Komisionari për Ekonomi i BE-së, Pierre Moscovici.

Populli italian do të përfundojë keq nga planet e qeverisë populiste për shpenzime ambicioze, paralajmëroi Bashkimi Evropian.

Komisionari për Ekonomi i BE-së, Pierre Moscovici, tha se planet për deficit buxhetor, për 2.4% të bruto prodhimit të brendshëm, vetëm se do ta rrisin edhe më shumë borxhin e Italisë prej 2.3 trilionë eurosh.

Por, Qeveria e Italisë, e cila mohon se kërkon konflikt me Brukselin, thotë se borxhi do të bie.

Megjithatë, njoftimi për buxhetin bëri që tregjet në Itali të bien për gati 4% të premten, ndërsa euro ra nën 1.16 dollarë, për herë të parë në dy javë.

Moscovici tha se Komisioni Evropian nuk ka interes “për ndonjë krizë me Italinë”, por shtoi se Italia “nuk po i respekton rregullat” dhe “nuk po e zvogëlon borxhin e saj eksploziv”.

Vendimi i Italisë për buxhetin është nën kufirin e BE-së për deficit prej 3% të bruto prodhimit vendor.

Por, Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, ka premtuar se do ta ulë borxhin e saj, i cili qëndron në 131% të prodhimit kombëtar - i dyti pas Greqisë.

Zyrtarët dhe diplomatët në Bruksel ende shpresojnë se forcat e tregut do ta bindin Italinë që t'i ndryshojë planet buxhetore, përpara se ato t'i dorëzohen formalisht Komisionit të BE-së, në mes të tetorit.

Nëse objektivat e deficitit mbeten të pandryshuara deri në afatin e tetorit, Komisioni mund t'ia refuzojë projektbuxhetin Italisë, diçka që kurrë nuk ia ka bërë ndonjë vendi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG