Christine Blasey Ford, gruaja që ka akuzuar për sjellje të keqe seksuale, Brett Kavanaugh, të nominuarin e presidentit amerikan, Donald Trump për gjykatës në Gjykatën Supreme, ka dëshmuar në një seancë dëgjimore të Komitetit Gjyqësor të Senatit, duke thënë se beson që Kavanaugh ka qenë personi që ka synuar ta dhunojë atë.
Blasey Ford, u është përgjigjur pyetjeve në Komitet lidhur me akuzat që ka bërë ajo kundër Kavanaugh, sa të dy kanë qenë të rinj.
Kavanaugh, që pritet të dëshmojë më vonë më 27 shtator, ka mohuar se ka sulmuar atë seksualisht.
Mirëpo, 51 vjeçarja, Blasey Ford ka thënë se, ajo është “100 përqind” e sigurt se Kavanaugh e ka sulmuar atë dhe se dëshmia e saj nuk përbën në asnjë rast mundësi për gabim të identitetit.
Ajo i ka thënë Komitetit se incidenti ka ndodhur pasi janë mbledhur “pak persona” në një shtëpi, në verën e vitit 1982.
Ajo ka thënë se Kavanaugh dhe shoku i tij, Mark Judge e kanë shtyrë atë drejt shtratit, kur ajo është nisur në katin e dytë të shtëpisë për të shfrytëzuar një dhomë për të pushuar.
“Kur jam ngjitur shkallëve, jam shtyrë në dhomën e gjumit”, ka dëshmuar ajo.
“Nuk e kam parë kush më ka shtyrë. Brett dhe Mark kanë ardhur në dhomë”, dhe dera është mbyllur.
“Unë jam shtyrë në shtrat dhe Brett ka qenë sipër meje”, ka thënë akuzuesja.
“Kur ai ka vendosur duart e tij në trupin tim, unë kam bërtitur, duke shpresuar se dikush poshtë shkallëve do të më dëgjonte, dhe kam tentuar të largohem nga ai”.
“Ai ka tentuar të më largonte rrobat dhe besoj se ka synuar të më dhunojë. Unë kam bërtitur andaj ai ka vendosur dorën mbi gojën time, duke tentuar të më ndalojë së bërituri. E kam pasur të vështirë të marr frymë dhe kam menduar se aksidentalisht ai mund të vriste”, është shprehur ajo.
Përveç tjerash, Ford ka thënë se “Brett dhe Mark kanë qenë të dehur dhe kanë qeshur gjatë sulmit. Ata mendoj se kanë shijuar atë moment”.
Blasey Ford ka thënë se momenti që ajo kujton më së shumti ka qenë “e qeshura me zë të lartë në llogarinë time”.
Ajo ka thënë se tani vuan nga “fobia dhe shenja të çrregullimeve post-traumatike”, duke përfshirë klaustrofobinë dhe sulme të panikut.
Akuzuesja po ashtu ka kundërshtuar se dëshmia e saj ka motive politike, duke deklaruar se ajo është “e pavarur” dhe se është movituar nga “detyrimi civil”.
Senatorët demokratikë në seancë janë ankuar vazhdimisht se Komiteti Gjyqësor, i kontrolluar nga republikanët, nuk ka lejuar FBI-në, të kryejë hetime lidhur me këto pretendime, dhe Jugdes nuk i është thirrje për të dëshmuar nën betim.
Ndërkohë, Trump, i cili ka mbrojtur Kavanaugh në të kaluarën, ka thënë para nisjes së seancës se ai është i hapur për të tërhequr mbështetjen për Kavanaugh dhe se ai do të shikojë nga afër seancën e së enjtes.
Përndryshe, pozita e gjykatësit në Gjykatën Supreme është e përjetshme dhe ky trup ka rëndësi të madhe në jetën politike në SHBA.