Rreth 88 përqind e qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nuk i besojnë asnjë politikani serb në Kosovë, ndërkaq 99 përqind e tyre nuk i besojnë asnjë politikani shqiptar.
Këto janë rezultatet e një hulumtimi të opinionit publik të realizuar nga organizata Aktiv në veriun e Mitrovicës, e cila gjatë gjysmës së dytë të qershorit të këtij viti, kanë anketuar rreth 800 respondentë nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Ndërkaq, përqindja ka qenë më e lartë në vitin e kaluar, ku 78 përqind e këtyre qytetarëve kanë deklaruar se nuk i besojnë politikanëve serbë.
Nga organizata Aktiv thonë se rezultatet e hulumtimit padyshim që tregojnë për një “krize besimi” në shoqërinë e veriut të Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës vijnë kryesisht nga Lista Serbe. Ky në fakt është subjekti i vetëm politik që Beogradi e ka përkrahur gjatë zgjedhjeve në Kosovë, pas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2011.
Kjo listë në Kuvendin e Kosovës tash numëron 9 nga 10 vendet e rezervuara që janë të ndara për komunitetin serb, pastaj udhëheq me 3 ministri dhe është në krye të 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lista Serbe, megjithatë, në mars zyrtarisht ka dalë nga koalicioni qeverisës, edhe pse ministrat ende mbajnë funksionet e tyre.