Ndërlidhjet

Të paktën 24 të vrarë nga sulmi gjatë paradës ushtarake në Iran


Iran, 22 shtator, 2018.
Iran, 22 shtator, 2018.

Njëzetekatër persona janë vrarë dhe 53 të tjerë janë plagosur në sulmin që ndodhi gjatë një parade ushtarake në jugperëndim të Iranit, raporton agjencia shtetërore e lajmeve iraniane, IRNA.

Duke cituar “burime që kanë informacion” mbi këtë ngjarje, IRNA thotë se sulmuesit, të veshur me uniforma ushtarake, kanë hapur zjarr në ngjarjen që po mbahej në qytetin Ahvaz, duke pasur për cak zyrtarët iranianë, që ishin mbledhur në këtë paradë për të shënuar përvjetorin e luftës mes Iranit dhe Irakut të viteve 1980-88.

“Në mesin e viktimave ka edhe edhe civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët kishin ardhur për të parë paradën”, është cituar të ketë thënë një zyrtar për agjencinë IRNA.

IRNA nuk ka thënë se në mesin e të vrarëve mund të jenë edhe pjesëtarët e Gardës Revolucionare. Por, agjencia gjysmë-shtetërore, Tasnim tha se të paktën tetë pjesëtarë të Gardës janë vrarë.

“Tre terroristë janë vrarë dhe i katërti që është plagosur, ka ndërruar jetë në spital”, tha gjenerali Abolfazl Shekarchi, që është zëdhënës i forcave të armatosura iraniane.

IRNA më herët ka raportuar se dy sulmues të dyshuar janë arrestuar.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif tha në Twitter se sulmuesit ishin “terroristë, të rekretuar, trajnuar, të armatosur dhe të paguar nga një regjim i huaj”, por nuk saktësojë se për kë po aludon.

Agjencia ISNA tha se një zëdhënës i paidentifikuar i Gardës Revolucionare ka fajësuar nacionalistët arabë – që mbështeten nga Arabia Saudite – për sulmin.

Ahvaz, është kryeqytet i provincës Khuzestan, që është e pasur me naftë. Në këtë provincë në të kaluarën separatistët arabë kanë kryer sulme në tubacionet e naftës.

Tensionet në mes të Iranit dhe Arabisë Saudite janë rritur viteve të fundit, ku dy shtetet kanë mbështetur palë të kundërta në luftërat në Siri dhe Jemen dhe parti rivale në Irak dhe Liban.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG