Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin "Evropa për qytetarët", si dhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në "ERASMUS +" Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.
IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga Bashkimi Evropian, që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE.
Nga pjesa e parë e fondeve IPA për vitin 2017 janë ndarë 50 milionë euro.
Në mars të vitit 2014, në Kosovë ka hyrë në fuqi edhe Rregullorja IPA II për sigurimin e asistencës së para-anëtarësimit për periudhën 2014-2020, me të cilën synohet të mbështetet Kosova për përmbushjen e perspektivës së saj evropiane.
Parlamenti ka votuar edhe Projektligjin për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).
Kuvendi më pas ka vazhduar punimet me pikat e mbetura nga seanca e datës 14 shtator.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë përmes një postimi në Facebook, se me miratimin e këtyre marrëveshjeve, Kosova bëhet gati për integrim dhe është e barabartë me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor.
“Të drejtat e njeriut, efiçienca e energjisë, ekonomia digjitale, siguria ushqimore, lidhshmëria e arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale, janë fusha ku do të përdorën fondet e Marrëveshjes së parë, ku vlera arrin në 48 milionë euro, përkrahje nga BE-ja për Kosovën”.
“Programi “Evropa për qytetarët”, përmban fonde prej 187 milionë eurove dhe synojnë të promovojnë qytetarinë aktive evropiane dhe si fokus ka autoritetet lokale, organizatat hulumtuese të politikave, grupet e qytetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile”, ka thënë ajo.
Përveç tjerash, ajo ka deklaruar se me Programin Erasmus +, Kosova bëhet vend partner i Bashkimit Evropian dhe përfiton nga rrjete të ndryshme të mbështetjes së politikave evropiane siç janë Korniza evropiane e kualifikimeve, Eurydice, Europass dhe Euroguidance dhe platformat elektronike (eTwinning dhe EPALE).