Ndërlidhjet

Numri i madh i të punësuarve pengon reformat në Administratë Publike


Ilustrim
Ilustrim

Zbatimi i reformave në Administratën Publike nuk mund të bëhet pa reduktimin e numrit të madh të punonjësve, thonë përfaqësues të sindikatave dhe të shoqërisë civile.

Por, nuk është vetëm numri i madh i punëtorëve që ka zvarritur këto reforma, të cilat në vazhdimësi janë kërkuar nga Komisioni Evropian në raportet e progresit. Kosova, theksohet se është vonuar me reforma, për shkak të mungesës se vullnetit politik.

Reforma në Administratën Publike është një ndër prioritetet kryesore për përafrimin e Kosovës me procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet për të çuar përpara agjendën e reformës evropiane dhe në veçanti reformën e Administratës Publike.

Ish- ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se viteve të fundit është deformuar ky proces duke shkuar në drejtim të kundërt. Në vend të reduktimit të administratës, janë rritur kapacitetet e shërbyesve civilë përtej nevojave që ka Kosova, thekson ai.

“Kosova ka krijuar një qeveri shumë të madhe që është në disproporcion me nevojat që ka shteti. Dhe, fatkeqësisht nuk janë luftuar disa dukuri negative në Administratën Publike që kanë të bëjnë kryesisht me një nepotizëm të theksuar, me një joprofesionalizëm dhe mosndërtimin e një sistemi të meritës dhe karrierës”.

“Reformimi Administratës Publike krahas shtetit ligjor është ndër kushtet kryesore politike për integrime evropiane”, thotë Bajrami.

Administrata në Kosovë, sipas analistëve, ndër vite ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë për punësimin e militantëve të partive politike, varësisht se cila vjen në pushtet. Po ashtu, problem është theksuar se mbetet edhe familjarizmi.

Administratë Publike janë institucionet qeveritare që rregullojnë funksionimin e shoqërisë, njëherësh është një nga segmentet kryesore përmes së cilës realizohen marrëdhëniet në mes të shtetit, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se mosgatishmëria politike ka ndikuar në këtë proces, duke mos miratuar tri projektligje për këtë çështje.

Jeton Mehmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Administrata Publike është e mbipopulluar me përkrahës të partive politike dhe kjo është arsyeja, sipas tij, që institucionet kompetente po e neglizhojnë këtë çështje.

“Mungesa një vullneti politik ka qenë një nga faktorët. Ne, që deri më tash kemi përcjellë miratimin e kësaj pakoje ligjore, kemi parë që ka pasur ndërhyrje qoftë nga Kuvendi, nga kryeministri dhe nga ana e presidentit në ndonjërën prej këtyre tri ligjeve. Kjo nënkupton se qysh në krye të hiearkisë shtetërore nuk ka pasur një dakordim të saktë për reformimin e Administratës Publike”, thotë Mehmeti.

Në Kosovë është në diskutim publik pakoja ligjore, ku bëjnë pjesë projektligji për administratën shtetërore, projektligji për zyrtarët publikë dhe projektligji për pagat.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar projektligjin për pagat.

Edhe nga Bashkimi i Sindikatës së Pavarur të Kosovës, (BSPK) e theksojnë nevojën e depolitizimit të administratës, por thonë se janë kundër largimit nga puna të punëtorëve.

Ndue Kalaj, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, në kuadër të BSPK-së,thotë se reformimi mund të rrezikojë edhe numrin e punëtorëve, por që, sipas tij, kjo sindikatë ka kërkuar që mos të ketë punësime të reja, qoftë edhe zëvendësime të atyre që dalin në pension.

Ndër të tjera, Kalaj shprehet se rreth 19 për qind e punonjësve në këtë administratë janë militantë të partive politike.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi dhe kemi pasur një mirëkuptim nga ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që ky proces të shkojë ngadalë, duke zvogëluar numrin e punëtorëve me rastin e pensionimit të tyre, por kurrsesi të mos ketë ndonjë “ tërmet” për shkak se të punësuarit do të mbesin në rrugë dhe ky do ishte jo reformim, por ç’reformim”, thotë Kalaj.

Numri i të punësuarve në administratën shtetërore sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar ka qenë, 81.466, kurse paga mesatare ka arritur në 454 euro nga 204 euro sa ka qenë në vitin 2008.

Megjithatë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë se Administratës Publike nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, në hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë në vazhdimësi ishte theksuar se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në administratën publike në Kosovë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG