Ndërlidhjet

Rritja ekonomike që nuk po sjell ndryshim


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare prezantojnë shifra të ndryshme në lidhje me shkallën e rritjes ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, potencon se rritja ekonomike në Kosovë për vitet 2018-2020 parashihet të arrijë në 4.8 për qind.

Në anën tjetër, parashikimet e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, parashikojnë që norma reale e rritjes ekonomike do të luhatet në një interval prej 4.2 deri në 4.4 për qind.

Por, pavarësisht shifrave, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se kjo rritje është e pamjaftueshme në aspektin e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Në termat ekonomik, rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Po ashtu, rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.

Muhamet Mustafa, këshilltar i lartë në Institutin për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, thotë se viteve të fundit ka pasur një trend të rritjes, por dyshon se ky nivel i rritjes ekonomike mund të përmirësohet gjatë këtij viti për shkak të situatës aktuale politike.

“Frikësohem se nuk do mundësohet rritje më e madhe. Në rend të parë për shkak të një aktiviteti investiv, pasi ka shenja se investimet e huaja janë në rënie e gjithashtu edhe investimet vendore nuk janë në dinamikën e duhur“, thotë Mustafa.

“Në ekonomi, një rëndësi shumë të madhe e kanë pritjet e konsumatorëve dhe pritjet e bizneseve lidhur situatën ekonomike lidhur më stabilitetin politik dhe ekonomik”, thekson Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se është inkurajues fakti se Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ka pasur nivel më të lartë të rritjes ekonomike.

Madje vitin e kaluar norma e rritjes ekonomike në Kosovë, ka qenë më e lartë, krahasuar me vendet e rajonit.

Por, sipas tij, në ekonominë e Kosovës ka qenë e padukshme kjo rritje për shkak se Kosova ka bazën më të ulët nga kalkulohet rritja ekonomike.

Pavarësisht kësaj, shprehet ai, norma mesatare e rritjes ekonomike, e parashikuar për këtë vit është e pamjaftueshme dhe pa ndikim në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

​“Vendi duhet të bëjë shumë më tepër në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, të shfrytëzojë të gjitha potencialet e saja ekzistuese për të tërhequr investimet e huaja direkte dhe më pas të performojë tutje me listën e të bërit biznes dhe të eliminojë problemet të cilat janë raportuar për gjithë vitet”, shprehet Zeka.

Në anën tjetër, për të pasur një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, ulje të shkallës së papunësisë dhe rritje të eksportit të produkteve vendore, rritja ekonomike duhet të arrijë deri në shtatë për qind, thotë Muhamet Mustafa.

“Për Kosovën është me rëndësi një rritje deri në shtatë për qind, rritje kjo që do të zgjaste më tepër se një dekadë në mënyrë që Kosova ta dyfishojë Bruto Produktin Vendor (BPV)”, thekson Mustafa.

“Me dyfishimin e Bruto Produktit Vendor, Kosova kalon në zonën e vendeve të zhvilluara, u ikë tipareve të një ekonomie të pazhvilluar, merr tipare të një ekonomie evropiane dhe adreson me sukses problemet e saj zhvillimore dhe problemet e saj sociale”, shprehet Mustafa.

Në mënyrë që të ketë rritje më të madhe ekonomike, Arian Zeka, thotë se institucionet kompetente duhet të krijojnë ambient më të përshtatshëm për të bërë biznes.

“Është çështje shumë relative nëse flasim për 0.5 për qind më shumë ose më pak. Por, ajo çka duhet të bëhet dhe vërehet është të kemi një rritje ekonomike tetë për qind ose atë që ekspertët gjithmonë thonë një shifër dy shifrore”, thotë Zeka.

Ndryshe, në një raport të Bankës Botërore, të publikuar vitin e kaluar, është thënë se vendeve të Ballkanit Perëndimor,përfshirë edhe Kosovën, do t’iu duhen deri në gjashtë dekada, në mënyrë që nivelet e të ardhurave të kapin ato të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG