Ndërlidhjet

Facebook, Twitter merren në pyetje nga Kongresi amerikan


Ilustrim
Ilustrim

Drejtuesit e Facebook-ut dhe Twitter-it po merren në pyetje nga senatorët amerikanë, në lidhje me hapat e tyre për të çrrënjosur operativët rusë dhe agjentët e tjerë, që po bëjnë përpjekje të ndikojnë zgjedhjet e ardhshme për Kongres.

Kongresi i ka kritikuar vazhdimisht këto media sociale gjatë vitit të kaluar, pasi dëshmitë kanë treguar se ato kanë qenë në ballë të përpjekjeve të dyshuara të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trembëdhjetë rusë janë akuzuar nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për përfshirje në komplotin e dyshuar për të prishur zgjedhjet e vitit 2016, duke krijuar llogari të rreme në Facebook dhe Twitter.

Përpara seancës dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, tha në një artikull të publikuar në Washington Post se kompania e tij është e angazhuar në një "garë armësh" me hakerë të sofistikuar që duan të dëmtojnë demokracinë.

"Ndërmarrjet si Facebook përballen me kundërshtarë të sofistikuar dhe të financuar mirë, të cilët po forcohen gjithnjë e më shumë", tha Zuckerberg.

"Është një garë armësh dhe sektori publik dhe ai privat në SHBA duhet t'i mbledhin forcat për të mbrojtur demokracinë e Amerikës nga ndërhyrja nga jashtë", tha Zuckerberg.

Google i refuzoi kërkesat e komitetit të Senatit për të dërguar shefin e saj ekzekutiv, Sundar Pichai, por lëshoi një deklaratë të shkruar nga zyrtari i saj kryesor ligjor.

Kryetari i komitetit të Senatit, Richard Burr, tha se Google "nuk e kupton problemin" nëse nuk dëshiron të punojë me qeverinë për të gjetur zgjidhje.

Duke iu përgjigjur ligjvënësve, shefja e operacioneve në Facebook, Sheryl Sandberg, tha se ky rrjet social "ka vepruar shumë ngadalë" ndaj ndërhyrjes në zgjedhje.

Shefi ekzekutiv i Twitter-it, Jack Dorsey, tha se platforma e tij "nuk ka qenë e përgatitur".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG