Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut politik në Bruksel, më 7 shtator.
Kështu thuhet në një njoftim për media të Përfaqësueses së Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson dialogun në Bruksel.
“Përfaqësuesja e Lartë do të vazhdojë diskutimet me të dy presidentët me qëllim të përparimit drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, me shikim para për përparim konkret, duke i dhënë prioritet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe perspektivës drejt Bashkimit Evropian të rajonit”, thuhet në njoftim.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka nisur më 2011. Sipas BE-së, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka propozuar që Kosova dhe Serbia të korrigjojnë kufirin. Në këtë kuadër, ai ka thënë se në Bruksel do të hapë edhe temën e bashkimit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.