Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka drejtuar një letër ambasadorëve të akredituar dhe zyrtarëve të Zyrave Ndërlidhëse në Kosovë, duke shpjeguar, siç ka thënë ai, përkrahjen e pakusht ndaj të gjitha kërkesave të parashtruara nga prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, për tërë hetimin në Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së lidhur me çështjen e Listës së Veteranëve.
“Ish prokurori Blakaj ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar dy javë kohë për të zhvilluar hetimet në Arkiva. Me vullnet të plotë për të ndihmuar procesin, kam qenë në dispozicion për çfarëdo kohe, që ai e përcakton. Jemi dakorduar që pas 30 ditëve të ofrojë një raport me rrjedhën e hetimeve, specifikisht a ka pasur mundësi që të hetojë pa ndërhyrje, paanshëm dhe me integritet të plotë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet qendrore janë të vendosura që të forcojnë dhe sigurojnë rendin dhe ligjin në të gjithë Kosovën. Politikat që kemi hartuar dhe zbatuar në rend e ligj, ndër tjera, përfshijnë fuqizimin e rolit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke ua ngritur buxhetin sektorial,duke ngritur pagat dhe përmirësuar kushtet e punës. Këto politika ua kanë rikthyer dinjitetin dhe kanë fuqizuar tërë sistemin duke ngritur efektivitetin, transparencën, dhe llogaridhënien”, thuhet në letrën që Haradinaj u ka drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Për shkak të këtyre përpjekjeve, ua shprehë besimin dhe përkushtimin tim të thellë se secili rast, përfshirë rastin në të cilin kishte punuar z.Blakaj, meriton hetim të pavarur dhe institucionet e drejtësisë duhet të punojnë të lirë nga çdo ndikim”, theksohet në letër.
“Fatkeqësisht, individët si z.Blakaj, duke manifestuar protagonizëm të rrejshëm me sulmet e tij ndaj drejtësisë kosovare përmes medieve, tentoi të rrezikojë përpjekjet për forcimin e sundimit të rendit e ligjit në Kosovë. Ky rast nuk do të pengojë vendosmërinë tonë të fortë për një sistem të plotë funksional të drejtësisë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.
Pak ditë më parë, ish- prokurori në Prokurorinë Speciale, Elez Blakaj, dha dorëheqje dhe akuzoi Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje në hetimet në rastin e listave të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, ai kishte deklaruar se u ishte nënshtruar presioneve e kërcënimeve që e kishin detyruar atë të jepte dorëheqjen.