Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë po planifikojnë të liberalizojnë lëvizjen e mallrave dhe unifikimin e doganave. Për këtë çështje, të dy qeveritë janë duke harmonizuar dokumentacionet e nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas procedurave të reja që janë në përgatitje e sipër, planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime.
“Liberalizimi ekonomik Kosovë - Shqipëri nënkupton eliminimin e gjithë burokracisë që ekziston në shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Po ashtu, edhe marrjen e të gjitha masave për të eliminuar dokumentacionin e tepërt - dokumentacion, i cili dyfishon punën dhe njëkohësisht rrit koston e biznesit, si te pala kosovare, po ashtu edhe te pala e Shqipërisë”, thotë Rafuna.
Zyrtarë të qeverive në Tiranë dhe Prishtinë tashmë kanë deklaruar se procedurat e reja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Kosovës dhe Shqipërisë, do të fillojnë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që ka realizuar në fillim të këtij muaji në qytetin e Vlorës, në Shqipëri, ka thënë se nga “1 janari 2019, do të hiqet dogana në mes dy shteteve”.
Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe afaristë kosovarë, theksojnë se janë bërë disa përparime në këtë fushë, por më tepër ka retorikë dhe tryeza nga autoritetet e të dyja vendeve, se sa zbatim në praktikë.
Kryetari iOdës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dyshon që në muajin janar do të arrihet liberalizimi ekonomik në mes dy shteteve, pasi, sipas tij, ende ka paqartësi në procedurat kufitare.
Problemet, thotë ai, ekzistojnë edhe në eksportin e produkteve kosovare në tregun shqiptar, si dhe te mosnjohja e dokumenteve të ndryshme.
“Kur themi nuk kemi procedura, duhet të dallohet pjesa e mallrave dhe njerëzve që qarkullojnë. Te mallrat nuk besoj se është e realizueshme, sepse duhen shumë parakushte të kalohen, harmonizime të shumë dokumenteve dhe të cilat realisht mundësojnë një qasje tjetër. Por, prapë është pozitive që ka një iniciativë, që në kufiinfrastruktura të rregullohet dhe mos të pritet me orë të tëra”, thekson Rukiqi.
Një nga kompanitë nga Kosova që aktivitetin e saj e zhvillon edhe në territorin e Shqipërisë, është “Pestova” nga Vushtrria, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates.
Pronari i kompanisë, Bedri Kosumi, tregon se në territorin e Shqipërisë posedon 40 hektarë tokë, ku bën kultivimin e patates së hershme. Po ashtu, ai eksporton produkte në Shqipëri, por edhe importon.
Kosumi thotë se me përurimin e pikës kufitare Vërmicë - Merdarë, pritjet për kalimet në kufi janë më të shkurta, por, sipas tij, janë procedurat tjera që pengojnë shkëmbimet tregtare.
“Shqipëria e Kosova nuk e konkurrojnë njëra-tjetrën, mirëpo e plotësojnë njëra-tjetrën në treg. Por, deri më tani, në shumë tryeza, takime në mes qeverive, më shumë është folur, shumë pak është punuar për lehtësimet për biznese. Është e vërtetë që ka përmirësime, por nuk është ajo që duhet të jetë”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.
Muajin e kaluar është përuruar pika e përbashkët kufitare Morinë - Vërmicë që lidh Kosovën me Shqipërinë. Me këtë projekt që është financuar nga Bashkimi Evropian me më shumë se një milion euro, është bërë modernizimi i pajisjeve. Gjithashtu, këto ndryshime e kanë lehtësuar transportin e mallrave në këtë pikë, pasi mjetet procesohen në një pikë të vetme të përbashkët.
Ndryshe, për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, por edhe në fusha tjera.
Megjithatë, vlerësohet se këto dy shtete gjatë shkëmbimeve tregtare, vazhdojnë të hasin në vështirësi dhe konsiderohet se nuk kanë arritur të kenë marrëdhënie tregtare në nivel të kënaqshëm.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e importit të produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria, në vit kapin vlerën më shumë se 99 milionë euro, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri është vetëm 15 milionë euro.
Facebook Forum