Ndërlidhjet

Delawie: Ka kufizime se çka do të pranojmë si marrëveshje Kosovë-Serbi


Ambasadori Greg Delawie
Ambasadori Greg Delawie

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka thënë se vendi i tij ka disa kufizime se çka do të pranohet si marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një adresim për media, Delawie ka shtuar se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit të Kosovës dhe se Uashingtoni nuk dëshiron ta shohë një marrëveshje që do të krijonte më shumë probleme se sa që do të zgjidhte.

Ky është adresimi i plotë i ambasadorit Delawie:

Jam i lumtur që kaq shumë qytetarë kosovarë tani po marrin pjesë në bisedat e rëndësishme për dialogun me Serbinë. Kjo është gjë e mirë. Megjithatë, dëshiroj t’i qartësoj disa gjëra. Ne besojmë se thelbi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Por, ka kufizime çka do të pranojmë.

Ne jemi të përkushtuar ndaj Kosovës; jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe suksesit të saj ekonomik. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për rolin historik që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë luajtur për t’i dhënë fund konfliktit në përgjithësi në Ballkan, dhe në veçanti në Kosovë.

Nuk duam që të kthehen ditët e dikurshme; nuk duam që të shohim një marrëveshje që do të krijonte më shumë probleme se sa që do të zgjidhte. Duam të ndihmojmë në arritjen e një marrëveshjeje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe që i kontribuon stabilitetit në rajon.

Çdo marrëveshje duhet të garantojë sigurinë për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë grupet e pambrojtura, serbët e Kosovës dhe kishën ortodokse serbe. Javëve të fundit ka pasur pak retorikë të padobishme, duke përfshirë edhe kërcënime dhe gjuhë të tillë që e kemi dëgjuar gjatë ditëve të këqija të dikurshme të komunizmit.

Kjo duhet të ndalojë. Deklaratat e tilla minojnë gjasat për zgjidhje dhe i ngritin tensionet. Dhuna dhe kërcënimet për dhunë janë të papranueshme.

Ne do të qëndrojmë krah jush gjatë këtij rrugëtimi.

Gjatë javëve të ardhshme, dëshiroj t’ju njoftoj me disa prej diplomatëve të sapoardhur në Ambasadën tonë, të cilët i janë bashkuar ekipit tonë për të siguruar që partneriteti ynë me Kosovën mbetet i fuqishëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG