Ndërlidhjet

Lumezi: Rreth 19 mijë veteranë fituan statusin kundërligjshëm


Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit
Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit

Sipas kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti. Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Lumezi tha se prokurori që ka dhënë dorëheqje, Elez Blakaj, ka bërë një “draft-akuzë” ndaj disa personave për këtë rast dhe që i është dorëzuar prokurorit të Prokurorisë Speciale për sugjerime të tjera. I pyetur nëse Prokuroria ka frikë nga politika, ai ka thënë se “politikanët duhet të kenë frikë nga prokurorët, jo e kundërta”. Lumezi tha se Prokuroria e Kosovës tashmë ka lëshuar 63 urdhër-arreste për krime të luftës, me të cilën janë marrë vetëm dy prokurorë, duke përfshirë tashmë edhe prokurorin e dorëhequr Blakaj. Lumezi tha se nuk e di se kur do të lëshohen aktakuzat e para nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë dhe sipas tij kjo Prokurori ende është duke bërë hetimet.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lumezi, nga Prokuroria Speciale e Kosovës kemi pasur një dorëheqje nga njëri prej prokurorëve, i cili është marrë me raste të ndjeshme. Si e keni pritur ju këtë dorëheqje?

Aleksandër Lumezi: Është bërë bujë e madhe rreth dorëheqjes së prokurorit (Elez) Blakaj, mirëpo ende në mjetet e informimit nuk është treguar arsyeja kryesore se pse ky prokuror ka dhënë dorëheqje nga Prokuroria Speciale. Ndërkohë, ne kemi marrë një shkresë nga prokurori Blakaj. Faktikisht, ajo shkresë konsiderohet si akt-dorëheqje nga prokurori Blakaj, ku ai thekson se është i nderuar që ka punuar brenda sistemit prokurorial të Kosovës dhe në veçanti në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila është njëra ndër Prokuroritë më kryesore në Republikën e Kosovës. Ai i ka falënderuar të gjithë kolegët, me të cilët ka punuar aty dhe ka bashkëpunuar dhe ka thënë se ai do të vazhdojë karrierën e vetë dhe profesionin e tij si jurist në një organizatë jashtë vendit, apo brenda vendit.

Do të thotë, në bazë të kësaj shkrese që unë e kam këtu, decidivisht shkruan se prokurori Blakaj do ta vazhdojë aktivitetin e tij profesional jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është arsyeja që ai ka dhënë në akt-dorëheqjen apo në shkresën, të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet se prokurori Elez Blakaj, kishte kërcënime nga politika. Sa të shpeshta janë këto raste?

Aleksandër Lumezi: Në media thuhet se prokurori Blakaj ka pasur kërcënime nga politikanët, mirëpo ne në Prokurorinë e Shtetit ende nuk kemi asnjë informacion zyrtar se prokurori Blakaj ka pasur kërcënime nga politika. As nuk kemi ndonjë shënim zyrtar, të cilën, prokurori duhet sipas rregullave në sistemin prokurorial, t’ia dorëzojë kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse, do të thotë prokurorisë në të cilën ai vepron, një shënim zyrtar në të cilin thuhet se ka pasur kërcënime nga politika, se përflitet për shkak të rastit të fundit të veteranëve të luftës se ka pasur kërcënime. Por, sa jam unë i informuar, ai personalisht nuk ka pasur kurrë kërcënim, ai ka pasur një shqetësim në Komisionin e Mjekëve, me të cilët ai ka punuar në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, të cilët e kanë vlerësuar gjendjen shëndetësore të veteranëve të luftës. Ai ka kërkuar që Policia të japë siguri për ata mjekë në Komisionin për vlerësimin shëndetësor të veteranëve të luftës.

Radio Evropa e Lirë: Kritikat më të mëdha ndaj jush dhe ndaj zyrës suaj janë mosluftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, a keni frikë nga politikanët?

Aleksandër Lumezi: Unë, personalisht, të ju them të drejtën, nuk kam kurrfarë frike nga politikanët, sepse politikanët janë njerëz që kanë një mandat të caktuar me ligj dhe në bazë të kryerjes së atij mandati, mandej ata bëhen njësoj, njerëz të thjeshtë. Politikanët duhet të kenë frikë nga prokurorët, jo e kundërta. Ne nuk varemi nga vullneti i personit X apo Y. Kompetencat dhe mandati ynë është i caktuar me Kushtetutë dhe me ligj. Kështu që, institucioni i prokurorit unë konsideroj se është tërësisht i pavarur dhe i paanshëm në kryerjen e detyrave të veta, të cilat ia përcakton Kushtetuta edhe ligji.

Unë nuk besoj që në Kosovë ka politikanë, të cilët guxojnë ta kërcënojnë apo të ndërhyjnë në punën e një prokurori në çështje individuale, të cilat janë në fazën e hetimeve. Por, unë ju them me bindje të thellë që nuk ka kurrfarë interferimi të politikës brenda sistemit prokurorial. Këtë e kemi dëshmuar edhe me punën tonë deri më tani. Kemi pasur dhe kemi ngritur aktakuza edhe kundër ministrave, edhe kundër ish-ministrave, edhe kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, kundër drejtorëve të ndërmarrjeve publike, kryetarëve të komunave gjë që nuk ka qenë më herët në sistemin prokurorial. Mirëpo, këto aktakuza që dërgohen në gjykatë, atëherë varet prej fakteve se çfarë vendime do të merren lidhur me këto aktakuza që ne i dërgojmë.

Por, ju thashë se kemi treguar se jemi krejtësisht të pavarur duke i akuzuar shumë persona nga subjektet politike, por edhe persona në pozita të ndryshme shoqërore publike.

Radio Evropa e Lirë: Është raportuar se Blakaj ka përgatitur aktakuzë ndaj disa personave për manipulim me lista të veteranëve. Pse nuk janë proceduar këto aktakuza në gjykatë?

Aleksandër Lumezi: Ne ende nuk kemi aktakuzë zyrtare. Nëse një prokuror e ngrit një aktakuzë kundër disa personave, ajo duhet t’i dorëzohet gjykatës kompetente dhe duhet të dorëzohet në aq kopje sa ka të pandehur dhe sa ka avokatë mbrojtës dhe një kopje për nevojat e gjykatës. Në këtë rast ne kemi pasur vetëm një draft të cilën prokurori e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në shikim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, i cili sigurisht që pas shikimit të atij drafti të aktakuzës, ka dhënë sugjerime të prokurorit Blakaj. Por, unë nuk kam informacione se çfarë sugjerime kanë qenë ato nga kryeprokurori dhe çka është vendosur më vonë në atë draft-akuzë. Përndryshe, konsiderohet se një aktakuzë është ngritur në momentin kur dorëzohet në gjykatën kompetente, e që në këtë rast nuk kemi aktakuzë të dorëzuar dhe ajo aktakuzë duhet të dorëzohet nga prokurori apo nga stafi që e ka punuar në çështjen konkrete penale.

Aleksandër Lumezi gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë
Aleksandër Lumezi gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë

Në bazë të informacioneve që unë i kam, në fazën e hetimeve janë siguruar prova qe vërtetojnë se 19 mijë veteranë të luftës kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme benefite që ua ka dhënë komisioni për veteran dhe invalid të luftës.

Radio Evropa e Lirë: A duhet në Kosovë të ketë një vetting i ngjashëm me atë në Shqipëri?

Aleksandër Lumezi: Në Kosovë ka pasur vetting, në vitin 2010 të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët kanë kaluar nëpër procesin e vettingut, i cili është i njëjtë dhe i cili tani bëhet në Republikën e Shqipërisë. Unë mendoj që vettingu duhet të jetë i përhershëm, një institucion i cili duhet të rregullohet edhe me Ligjin mbi prokurorin e shtetit, por edhe me Ligjin mbi këshillin prokurorial të Kosovës dhe në çdo moment dhe në çdo kohë të vlerësohet puna e prokurorëve, por edhe integriteti i prokurorëve, rritja e pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dhe nëse arrijmë që nëpërmjet të këtyre komisioneve, të cilat janë brenda sistemit prokurorial, të përcillet puna profesionale, integriteti dhe pasuria e prokurorëve, atëherë ajo duhet të konsiderohet një vetting i përhershëm, i cili është brenda sistemit. Por, në përgjithësi, nëse edhe partnerët ndërkombëtarë, por nëse edhe bazat e funksioneve gjyqësore janë të pajtimit që të bëhet vettingu edhe unë mendoj se mund të bëhet edhe një vetting brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor dhe të shihet se a janë personat adekuat nëpër pozita drejtuese në këto dy institucione, në gjyqësor edhe në prokurori.

Ne kemi dispozita ligjore të cilat përcaktojnë faktikisht që të bëhet vlerësimi i performancës së prokurorit, çdo tri vjet të vlerësohet integriteti i prokurorit apo i gjyqtarit dhe të vlerësohet pasuria të cilën e deklarojnë në agjencionet kundër korrupsionit dhe nëse eventualisht shihet që ka ndonjë rritje joproporcionale me të ardhurat të cilat i ka prokurori apo gjyqtarët, atëherë krijohet një bazë që prokurori të fillojë edhe ndjekjen penale të ndonjë bartësi të funksionit gjyqësor apo prokurorial.

Radio Evropa e Lirë: Deri ku kanë shkuar lëndët me rastet e krimeve të luftës dhe kur priten aktakuzat?

Aleksandër Lumezi: Ne kemi formuar një departament në Prokurorinë Speciale të Kosovës në të cilën veprojnë dy prokurorë, do të thotë i trajtojnë rastet e krimeve të luftës. Njëri nga ta ka qenë prokurori Elez Blakaj, i cili tashmë nuk është në detyrë. Kështu që do të kemi pak vështirësi ndoshta edhe në trajtimin e këtyre lëndëve, por shumë shpejtë në Prokurorinë Speciale do të emërohen edhe pesë prokurorë të rinj, sigurisht nga mesi i muajit të ardhshëm do t’i kemi edhe pesë prokurorë.

Sa i përket rasteve të luftës, shumica e rasteve janë ato të cilat i kemi pranuar nga misioni i ELUEX-it dhe tani janë në duart e prokurorëve vendorë. Janë duke i shqyrtuar ato dosje dhe unë shpresoj që shumë shpejtë do të merren rezultate konkrete në drejtimin e këtyre rasteve të krimeve të luftës. Mirëpo, duhet të kemi parasysh që shumica e kryerësve të këtyre veprave penale, gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ne deri më tani kemi lëshuar rreth 63 urdhër-arreste për t’u kapur ata persona, për të cilët dyshohet se kanë kryer krime të luftës dhe në momentin kur ata kapen ose nga autoritetet vendore ose nga autoritetet ndërkombëtare, ne do të fillojmë procedurën penale kundër tyre.

Mirëpo, duhet të kemi parasysh se edhe shumë dëshmi dhe shumë prova materiale nuk gjinden në Republikën e Kosovës, ato janë në Republikën e Serbisë dhe pa një bashkëpunim edhe me institucionet e drejtësisë të Serbisë, shumë vështirë do ta kemi që të kemi prova dhe dëshmi relevante për t’i gjykuar personat të cilët kanë kryer krime të luftës në Republikën e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kur mund të priten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale? Pse është vonuar deri tash dhe çfarë ka kërkuar Prokuroria Speciale me seli në Hagë nga zyra e juaj?

Aleksandër Lumezi: Sa i përket aktakuzave nga Gjykata Speciale, të ju them të drejtën unë nuk kam kurrfarë informacioni. Por, nga deklarata e kryeprokurorit i cili është caktuar nga misioni i sundimit të ligjit të ELUEX-it, kemi informacione se ende janë duke u hetuar rastet dhe e keni parë edhe kryeprokurori i ri (Jack) Smith ka thënë se mezi po pres që t’i përfundojmë hetimet të cilat i kanë filluar kolegët e tij para se të vijë ai në atë pozitë. Do të thotë që pas kësaj deklaratë konsiderohet që ende janë në fazën e hetimeve edhe ndoshta kur të përfundohen të gjitha provat dhe dëshmitë relevante, atëherë do të kemi ndoshta edhe ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale.

Ne bashkëpunojmë me Prokurorinë Speciale edhe me Kryeprokurorin Special dhe në bazë të Ligjit mbi dhomat e specializuara të prokurorit special, dhe ne jemi të detyruar që të gjitha informacionet të cilat ata i kërkojnë nga Republika e Kosovës të ua dorëzojmë në procedurë të mëtejshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG