Lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik ka kundërshtuar, rreth asaj nëse masakra e vitit 1995 në Srebrenicë është gjenocid i kryer nga myslimanëve boshnjakë dhe ka bërë thirrje për nisjen e një hetimi “të paanshëm” ndërkombëtar për këtë tragjedi.
“Krimi në Srebrenicë është një tragjedi e inskenuar me qëllim të satanizimit të serbëve”, tha Dodik, para Asamblesë Kombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës, në Republikën Serbe.
Dodik kërkoi që legjislativi të revokojë raportin e vitit 2004, të hartuar nga qeveria e mëparshme dhe bëri thirrje për një hetim të ri mbi ngjarjet që kanë ndodhur në rajonin Podrinje, ku gjendet Srebrenica, gjatë luftës së Bosnjës të vitit 1992-1995.
Këto thirrje të Dodikut janë parë si përpjekje që të sigurojë mbështetjen e serbëve të Bosnjës, përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në tetor.
Sehida Abdurahmanoviq, anëtare e grupit “Nënat e Srebrenicës”, i ka cilësuar deklaratat e Dodikut si “të turpshme dhe jonjerëzore karshi viktimave”.
Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë ishin vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në dhe përreth qytetit të Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Kjo ngjarje konsiderohet si akti më i keq i gjenocidit në Evropë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, tha se vrasjet në Srebrenicë janë gjenocid.
Por, Dodik ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke argumentuar se është manipuluar me numrin e personave të ekzekutuar.
“Shumica e të varrosurve janë vrarë gjatë luftimeve dhe në këtë listë (listën e viktimave të varrosura), ka njërëz që janë ende gjallë”, është shprehur Dodik.
Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi, ka dënuar liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe komandantin e ushtrisë, Ratko Mlladiq për rolin e tyre në masakrën e Srebrenicës dhe për mizori të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje.