Ndërlidhjet

Jeta e grave dhe fëmijëve nën sundimin e IS-it në Afganistan


Gratë presin për ndihma në qendrën në Sheberghan
Gratë presin për ndihma në qendrën në Sheberghan

E veshur me një burka të pluhurosur ngjyrë të kaltër dhe duke mbajtur një copë bukë në dorë, Khaleda vajton para tre fëmijëve të saj në një kamp të improvizuar refugjatësh në Afganistanin verior.

Tridhjetepesë vjeçarja, e cila është prezantuar vetëm me emrin e saj dhe jo me mbiemër, është në mesin e mijëra njerëzve që kohët e fundit kanë shpëtuar nga sundimi brutal i grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) në rrethin Darzab të provincës Jawzjan, një bastion i militantëve viteve të fundit.

Tani që jeton në mes qindra familjeve të tjera në një kamp në periferi të kryeqytetit provincial Sheberghan, Khaleda kujton tmerret e jetën nën sundimin e militantëve të IS-it.

“Ata larguan vajzat e reja dhe i morën me forcë”, thotë Khalea, duke mbajtur vajzën e saj 3-vjeçare e cila mban një shishe të ujit në dorë.

“Unë i pash duke vrarë njerëz të fshatit tim, djemtë e të rinjtë i detyruan të luftonin për ta, nuk mund të bënim asgjë”.

Filiali lokal i grupit IS në Afganistan ka fituar një reputacion të pakrahasueshëm për brutalitet, duke prerë kokat e rivalëve të tyre apo duke i shtyrë ata të qëndrojnë në tokat e minuara. Ndërsa, martesat e dhunshme dhe përdhunimet që janë kryer nga grupi ekstremist në Irak dhe Siri, ato janë raportuar shumë pak në Afganistan, ku dhuna seksuale është një tabu sociale.

Por, tregimet e tilla si kjo e treguar nga Khaleda kanë dalë javët e fundit, pasi mijëra njerëz kanë ikur nga Darzabi. Militantët e IS-it janë rrëzuar nga militantët rivalë të tyre, talibanët, dhe forcat afgane më 31 korrik, pas disa javëve të përleshjeve të ashpra. Dhjetëra luftëtarë të IS-it u vranë dhe mbi 200 u dorëzuan te forcat qeveritare.

Shumë banorë ikën gjatë luftimeve në Sheberghan, ku mijëra njerëz si Khaleda, jetojnë me ushqime dhe ujë nga Qeveria lokale dhe grupet e ndihmave të vendeve të huaja.

“Ishte në mes të natës”, thotë Khaleda, vendase e fshatit Sardara, burri i së cilës punon si punëtor krahu në shtetit fqinjë të Iranit.

“Ne morëm një motor, kishim të veshur vetëm rrobat e trupit. Lamë gjithçka tjetër prapa”, tregon ajo.

Khaleda thotë se ajo, si shumë të tjerë, mbetet në dyshim se a do të kthehet në shtëpinë e saj për shkak të frikës se militantët e IS-it mund të kthehen.

Një luftëtar i huaj i IS-it flet me gazetarët pas dorëzimit të tij te forcat qeveritare në qarkun Darzab më 1 gusht.
Një luftëtar i huaj i IS-it flet me gazetarët pas dorëzimit të tij te forcat qeveritare në qarkun Darzab më 1 gusht.

‘‘Ata e dhunuan atë"

Maryam, e cila iku nga Darzab javën e kaluar, jeton me burrin e saj dhe dy fëmijët në kampin në Sheberghan. Njëzetetetë vjeçarja thotë se motra e saj 15-vjeçare është rrëmbyer nga luftëtarët e IS-it.

“Luftëtarët e Daeshi-it erdhën në shtëpinë e nënës sime”, thotë Maryam, duke iu referuar IS-it me akronimin arab.

“Ata vranë kunatin tim. Ata morën motrën time të vogël dhe e çuan në një fshat tjetër, e dhunuan atë dhe e detyruan të martohej me një anëtarë të Daesh-it”.

Maryam thotë se nuk e di se ku ndodhet motra e saj ose nëse ajo është ende gjallë.

Përveç brutalitetit të përdorur ndaj grave, luftëtarët e IS-it po ashtu kanë vrarë pleq, që ata i konsideronin se ishin simpatizantë të Qeverisë. Vendorët thonë se militantët përdorën gjithashtu edhe fëmijët si ushtarë, të cilët më pas u dorëzuan në duart e forcave qeveritare.

Fatima, një banore tjetër e Darzab, burri i së cilës është vrarë nga militantët ekstremist thotë "burri im ishte plak i fshatit".

Ajo jeton në një tendë të mbushur me njerëz në Sheberghan, me të afërmit e saj.

"Luftëtarët e Daesh-it erdhën në shtëpinë tonë dhe e vranë para meje. Ata kryen shumë veprime mizore", tregon ajo.

Tregimet nga Afganistani pasqyrojnë edhe tregimet në Siri dhe Irak, ku militantët e IS-it në mënyrë sistematike skllavëruan, dhunuan gra, publikisht vranë të burgosur, dhe përdorën fëmijët si luftëtarë të tyre dhe si kamikazë.

I vogël, por i fuqishëm

Militantët kanë një prani të vogël, por të fuqishme në Afganistan, ku ata u shfaqën për herë të parë në 2015. Në vitin 2017, militantët kapën Darzabin dhe lagjen Qush Tepa në Jaëzjan, një provincë e largët që kufizohet me Turkmenistanin dhe është vend kyç për trafikimin e drogës. Militantët u rrëzuan nga pushteti në këtë krahinë, pas disa muajsh të sulmeve ajrore amerikane dhe operacioneve tokësore që vranë krerët lokalë të IS-it.

Luftëtarët e IS-it gjithashtu u përballën edhe me një ofensivë me talibanët në këtë zonë. Pavarësisht nga goditja e tyre në Jawzjan, grupi i IS-it ka një pikë mbështetëse në krahinën lindore të Nangarhar, përgjatë kufirit pakistanez, nga ku kanë sulmuar forcat afgane dhe ndërkombëtare të sigurisë, pakicat fetare dhe punëtorët e huaj në qytete si Jalalabad dhe kryeqytetin Kabul.

Filiali i IS-it në Afganistan nuk është grup monolit, as një zgjerim i drejtpërdrejtë i grupit ekstremist në Irak dhe Siri- i cili përfaqëson më shumë një aleancë të grupeve të ndara nga talibanët afganë dhe pakistanezë me elemente të grupeve militante rajonale si Lëvizja islame e Uzbekistanit dhe Lashkar-e Jhangvi me bazë në Pakistan.

Janë rreth 2000 luftëtarë të IS-it në Afganistan, ku forcat amerikane dhe afgane kanë zhvilluar një fushatë të pandërprerë për të shkatërruar grupin.

Uashingtoni dhe Kabuli kanë pohuar se fushatat e tyre kanë vrarë qindra militantë dhe komandantë, duke përfshirë udhëheqësit e saj, edhe pse banorët e Afganistanit lindor thonë se ekstremistët mbajnë në kontroll një pjesë të rëndësishme të territorit.

Përgatiti: Donika Alihajdaraj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG