Ekspertë të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për sulme kibernetike nga Irani, si shenjë hakmarrjeje për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për rivendosje të sanksioneve.
Shqetësimet për kërcënim kibernetik janë rritur nga muaji maj, kur Trump është tërhequr nga pakti bërthamor i vitit 2015, e cila parasheh lirim nga sanksionet për Iranin, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthmor.
Sipas ekspertëve, ky kërcënim mund të rritet pas vendimit të Uashingtonit për të rivendosur sanksionet ekonomike në Teheran.
“Derisa nuk kemi ndonjë kërcënim specifik, ne kemi parë disa shenja të rritjes së aktivitetit iranian në javët e fundit”, ka thënë, Priscilla Moriuchi, udhëheqëse e Recorded Future, kompani që heton kërcënimet kibernetike në kohë reale në botë.
Kompania me seli në Masaçusets pati parashikuar në muajin maj se tërheqja e SHBA-së nga pakti bërthamor do të provokonte përgjigjje kibernetike nga Qeveria Iraniane në dy deri katër muajt e ardhshëm, transmeton AP.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë cilësuar Iranin si një nga kërcënimet kryesore të huaja me të cilat përballet Amerika, duke përmendur edhe Rusinë, Kinën, dhe Korenë Veriore.
Një valë e sulmeve, për të cilën autoritetet amerikane kanë fajësuar Iranin në periudhën 2012-2014, ka shënjestruar banka dhe ka shkaktuar dëme në vlerë të miliona dollarëve.
Irani kundërshton përdorimin e kapaciteteve kiberbetike për qëllime të dëmshme dhe akuzon SHBA-në, se ka cak Iranin.
Administrata e Trumpit ka thënë se rivendosja e sanksioneve në Iran synon të ndalojë agresionin e kësaj të fundit, duke kundërshtuar fondet për financim të terrorizmit, programit të raketave dhe forcave në konfliktin në Jemen dhe Siri.
Sanksionet amerikane kanë nisur së zbatuari më 7 gusht duke i ndaluar Iranit qasje në dollarin amerikan dhe duke prekur sektorin e automjeteve, blerjen e metaleve dhe aeroplanëve duke përfshirë arin.
Vala e dytë e sanksioneve amerikane pritet të godasë sektorin e naftës iraniane dhe atë bankar në nëntor të këtij viti.
Liderët evropianë kanë shprehur keqardhje të thellë për këtë vendim të SHBA-së., ndërkohë që Irani përballet me këto sanksione në kohën e rritjes së shkallës së papunësisë, uljes së vlerës së valutës shtetërore dhe protestave në rrugë.
Ish-menaxheri i Iranit për Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Norm Roulse ka thënë se mendon që Teherani do të bashkojë forcat kibernetike në mënyrë që të përgjigjet.
“Unë mendoj se ka shumë mundësi që Irani do të përdorë kapacitetet kibernetike, ndoshta jo si sulm që mund të jetë aq shkatërrues sa të thyejë marrëdhëniet e mbetura me Evropën, mirëpo nuk mendoj se iranianët do të mendojnë që kjo është e kushtueshme”, ka thënë Roule.
“Aktivitetet kibernetike të Iranit kundër botës kanë qenë me shumë pasoja, të kushtueshme dhe më agresivet në historinë e internetit, madje edhe më të rënda se të Rusisë. Iranianët janë operatorë kibernetikë shkatërrues”, ka thënë Roule, duke shtuar se ka pasur raste kur ata kanë ndërhyrë edhe në kompanitë izraelite dhe ato Perëndimore për të fituar më shumë informacion.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Dan Coats nuk ka pranuar të komentojë të martën nëse Irani do të përgjigjet me operacione kibernetike pas sanksioneve amerikane.
Mirëpo kur SHBA-ja është larguar nga pakti bërthamor, FBI-ja ka nisur një paralajmërim duke thënë se hakerët në Iran “ka mundësi që si kundërpërgjigjje të përdorin një varg të operacioneve kompjuterike duke nisur nga skenimi i rrjeteve e deri të fshirja e informacioneve, kundër rrjeteve me seli në SHBA.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar në muajin mars për akuza kundër nëntë iranianëve, të cilët është thënë të kenë punuar me urdhër të Gardës Revolucionare Islamike për të vjedhur sasi të madhe të informatave akademike nga qindra universitete në SHBA dhe vende tjera.
Po të njëjtit janë akuzuar edhe për vjedhje të informatave nga personat e punësuar në agjenci qeveritare dhe kompani private.