President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se tash është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje me Kosovën dhe se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe jo te ketë vrasje për territor.
“Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt, si dhe serbët e shqiptarët duhet të deklarohen a kemi nevojë për paqe apo të vazhdojmë të vritemi për territor?”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Beograd.
Vuçiq u shpreh se marrëveshja, për të cilën ai ka dyshime se do të arrihet, nuk do t’i bëjë serbët të festojnë, por as shqiptarët nuk do të festojnë.
“Ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, zgjidhje kjo, që do të krijonte njëfarë sigurie për qytetarët tanë”, deklaroi Vuçiq.
“A mundet Serbia të marrë më shumë se sa që ka sot? Pozicioni im si president është i qartë: zgjidhja e problemit është e domosdoshme, sa më parë. Ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme në mes të serbëve dhe shqiptarëve, është e rëndësishme që të krijojmë siguri për qytetarët tanë, sa më parë. Por, është e rëndësishme gjithashtu që kur të arrijmë një paqe të tillë, t’i kushtojmë vetes rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe të mos lejojmë faktorë të tjerë të dalin në rrugën tonë”, tha tutje presidenti serb.
Presidenti serb, gjithashtu tha se serbët nga Kosova nuk do të jenë të vetëm në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Do të punoj nga afër për të përcjellë dhe monitoruar zhvillimet në bashkësinë ndërkombëtare dhe do të insistoj për të drejtat tona", tha Vuçiq, duke theksuar se kanë kaluar 1930 ditë nga dita kur ishte dashur të formohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vuçiq po ashtu tha se politika e Beogradit ka bërë shumë gabime dhe se një nga gabimet më të mëdha ka qenë edhe kërkesa ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse Kosova kishte të drejtë ta shpallë pavarësinë. Vendimi ishte se Pristina kishte të drejtë ta shpallte pavarësinë, dhe sipas Vuçiqit, ky vendim e ka bërë shumë të vështirë për atë që t’i bindë të tjerët se Kosova është pjesë e Serbisë.