Ndërlidhjet

Rritet shkalla e gatishmërisë së institucioneve të Kosovës


Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në ditët që vijnë.

“Gjendja e sigurisë në rend dhe ligj është e qetë dhe stabile, por megjithatë kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim në rast të çfarëdo prishjeje të rendit dhe ligjit”, tha Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, është konstatuar se disa persona të dyshimtë qarkullojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe ata mund të jenë nga Republika Sërpska ose pjesë të tjera.

"Kushdo që hyn në territorin e Kosovës, me qëllim të shkaktimit të ndonjë incidenti apo prishjes së rendit dhe ligjit, do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe të ligjit", tha Haradinaj, duke mos saktësuar se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.

"Rritja e shkallës së gatishmërisë nuk është urdhër për veprim, por jemi në gjendje gatishmërie. Në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit, do të veprojmë", theksoi kryeministri.

I pyetur nga gazetarët nëse serbët mund të shpallin autonomi më 4 gusht, pas dorëzimit të draft-statutit të Asociacionit për komunat me shumicë serbe, Haradinaj tha se Kosova është brenda marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se askush nuk mund të ndërmarrë veprime të njëanshme.

Shefi i Ekipit teknik të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arfi ka bërë të ditur një ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se drafti i parë i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pritet të jetë gati deri më 4 gusht, kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje, pritet ta dërgojë atë në Bruksel.

Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG