Ndërlidhjet

Komisioni Evropian kumton rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave


Avramopoulos: Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Komisioni Evropian ka kumtuar rekomandimin pozitiv për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave. Gjatë një konference të përbashkët për media, të mbajtur në Bruksel, Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopoulos dhe presidenti Hashim Thaçi e vlerësuan si shumë të rëndësishëm rekomandimin pozitiv, duke e cilësuar atë ndër hapat e fundit në BE para se të merret vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

"Jam i lumtur të ju njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", tha komisioneri Avramopoulos.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ua lehtëson atyre jetën e përditshme, por edhe turizmin. Do të fuqizojë lidhjet e Kosovës me BE-në dhe partneritetin e BE-së me Kosovën”, tha tutje ai.

“Liberalizimi e bën Kosovën pjesë të Ballkanit Perëndimor që tashmë po lëvizin pa viza”, theksoi komisionari evropian.

Sipas tij, qytetetarët e Kosovës shumë shpejt do të mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Tani gjithçka është në duart e Parlamentit Evropian dhe Këshillit”, tha Avramopoulos.

“Parlamenti duhet të miratojë propozimin e Komisionit Evropian. Më pas, i njëti shkon në Këshill ku votohet po ashtu ky propozim për Kosovën”, sqaroi ai.

“Nëse më herët kishim shumë kilometra për të vrapuar, tani jemi në 100 metrat e fundit”, theksoi ai.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se vendimi i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit për liberalizimin e vizave është lajmi më i mirë për Kosovën në dekadën e fundit.

“Kilometrat e fundit ishin shumë të gjata, por jam i lumtur që së bashku po mbërrijmë në cak dhe shpresojmë që shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza”, tha Thaçi.

“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe sot është marrë edhe miratimi për këtë punë edhe nga partnerët evropian.

“Kjo nuk ishte dhuratë, por meritë e punës së vështirë që kemi bërë së bashku”, tha Thaçi.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, nënvizoi presidenti Thaçi, do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe qarkullimin e mallrave.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli e cilësoi si lajm “të mrekullueshëm” dhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn thotë se Komisioni Evropian ka njohur punën dhe përkushtimin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave.

Sipas tij, tash është në dorën e vendeve anëtare që të vendosin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Raportuesja evropiane për liberalizimine vizave për Kosovën, Tanja Fajon i ka bërë thirrje Këshillit që të bëjë punën e tij dhe të miratojë rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas publikimit te rekomandimit nga Komisioni Evropian, Naim Rashiti nga Grupi për Ballkanin ka sqaruar edhe procedurat vijuese deri te marrja e vendimit përfundimtar.

Sipas liderëve kosovarë, por edhe atyre të BE-së, rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është hapi i parë që çon deri te vota për liberalizimin në Parlamentin Evropian dhe një miratim nga Këshilli i Ministrave. Nëse këto tri procedura përmbyllen me sukses për Kosovën, atëherë pritjet janë që vendimi përfundimtar të merret diku në fund të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG