Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, do të qëndrojë të martën në Maqedoni, bëri të ditur Qeveria në Shkup.
Hahn do të marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë, ku do të diskutohet vetëm një pikë: Informacionet mbi konceptin dhe strukturën e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Muajin e kaluar, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë leje të kushtëzuar për Maqedoninë dhe Shqipërinë, për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Ato u pajtuan që dy vendet, në qershor të vitit 2019, të nisin procesin drejt hapjes së negociatave, por me kusht që ato të dëshmojnë përparim në reforma, përpara se të nisin negociatat e vërteta në fund të vitit 2019.