Ndërlidhjet

“Putini është armik i Amerikës”


Pohimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se Rusia është “konkurrente” dhe jo “armike” provokoi alarm dhe zemërim te disa ligjvënës në Uashington.

Ata thanë se janë të shqetësuar nga gatishmëria e Trumpit për të neglizhuar keqbërjet e dyshuara të Rusisë dhe kërkuan nga presidenti që të mos jetë “i butë” ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në takimin e Helsinkit më 16 korrik.

“Putini nuk është mik i Amerikës. Putini është armik i Amerikës, jo sepse ne e duam një gjë të tillë, por ai vetë ka zgjedhur kështu”, tha senatori John McCain, udhëheqës i Komitetit të Senatit amerikan për Forca të Armatosura.

“I takon presidentit Trump ta mbajë përgjegjës Putinin për veprimet e tij, gjatë takimit në Helsinki”, tha McCain.

Trump tha se takimi me Putinin do të jetë një mundësi për të ulur tensionet, të cilat janë rritur viteve të fundit për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, ndërhyrjes së saj ushtarake në Siri dhe akuzave për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Por, shumë ligjvënës amerikanë duan që Trump, si në takimin privat, ashtu edhe në atë publik me Putinin, t’i dënojë veprimet e Rusisë.

Kongresi amerikan ka marrë qëndrim të ashpër ndaj Rusisë së Putinit, pasi ka miratuar, vitin e kaluar, një ligj të sanksioneve të ashpra kundër zyrtarëve rusë.

Edhe pse Rusia e mohon, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA në favor të zgjedhjes së Trumpit president dhe këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, ka ngritur akuza kundër 13 organizatave dhe individëve rusë për ndërhyrje gjatë fushatës zgjedhore.

Trump ka thënë se do ta diskutojë çështjen me Putinin, por ai vazhdimisht ka përmendur mohimet e presidentit rus për ndërhyrje.

“Duhet t’i demonstrojmë botës se komuniteti i vendeve demokratike nuk e ka ndërmend të aderojë në pikëpamjen e Putinit apo të ndonjë autoritari tjetër të botës. Do t’i rezistojmë agresionit rus”, thanë senatori demokrat, Mark Warner, dhe senatori republikan, Marco Rubio, në një artikull për USA Today.

Qëndrimi i Trumpit ndaj Rusisë dalloi shumë prej marrëdhënies së tij të ngurtë me aleatët kryesorë të SHBA-së, në një samit të NATO-s.

Samiti, që u mbajt këtë javë në Bruksel, u karakterizua me shkëmbime dhe konfrontime të mprehta midis Trumpit dhe udhëheqësve evropianë, sidomos për shpenzimet në mbrojtje dhe tregtinë.

Gjatë samitit të NATO-s, Trump, duke bërë shaka, po ashtu tha se takimi i tij me Putinin do të ishte pjesa më e lehtë e udhëtimit të tij në Evropë.

Senatori republikan, Jeff Flake, e kritikoi presidentin për këtë deklaratë.

“Presidenti rus është një njeri i shkolluar në tradhti dhe spiunim. Ai i burgos dhe i vret kundërshtarët e tij, kryeson një shtet mafioz dhe është armik i demokracisë. Përse takimi me Putinin do të ishte më i lehtë se takimi me aleatët”, tha senatori Flake.

Putin u rizgjodh president në muajin mars, edhe për gjashtë vjet të tjerë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG