Partia Socialdemokrate thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të marrë rolin drejtues dhe të mbikëqyrë procesin e dialogut politik, mes Kosovës dhe Serbisë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri tha se është e domosdoshme që Kuvendi të jetë i përfshirë në këtë proces.
“Ne si Parti Socialdemokrate konsiderojmë se përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e qartë për sa i përket procesit të dialogut dhe njëkohësisht e shohim të domosdoshëm dhe të pashmangshëm një rol drejtues dhe udhëheqës për sa i përket këtij procesi”, tha Ymeri.
Ai shtoi se kushdo që mendon që në këtë proces duhet të shkohet “pa vija të kuqe e ka edhe gabim dhe paraqet një rrezik të madh për mbarëvajtjen e këtij dialogu dhe për marrëveshjen përfundimtare”.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie, Dukagjin Gorani tha se Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave duhet ta mandatojë bartësin apo bartësit e dialogut, duke shtuar se ata duhet t’i japin përgjegjësi Kuvendit të Kosovës.
Gorani tha se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili po zhvillon raunde bisedimesh me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nuk ka legjitimitetin popullor, që të jetë në krye të këtij procesi.
“Përfaqësimi është i rëndësishëm në këtë proces, pasi që posti i presidentit nuk buron nga legjitimiteti popullor, por është kompromis i politikave partiake brenda Kuvendit të Kosovës. Andaj si i tillë, këtë post nuk mund ta kuptojmë si legjitim dhe për ne është i papranueshëm”, tha Gorani.
Ai propozoi që Kuvendi të formojë një komision të veçantë për mbikëqyrjen e dialogut.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.