Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se ka besim të plotë në Austrinë dhe kancelarin e këtij shteti, Sebastian Kurz se do të shtyjë përpara agjendën evropiane të Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas Bullgarisë, Austria merr kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian. Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar kryeministrin bullgar, Boyko Borissov për, siç ka thënë, “rolin dinamik në mbështetje të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, duke e cilësuar samitin e mbajtur në Sofje, si “sukses të plotë” dhe një hap përpara “drejtë jetësimit të aspiratës sonë për anëtarësim në BE”.
“Ne duhet të vazhdojmë me zbatimin e reformave të rëndësishme politike dhe ekonomike, të nevojshme në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Thaçi.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka uruar kancelarin Kurz për marrjen e presidencës së BE-së, duke e cilësuar këtë si “momentum për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së”.