Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli, i hodhi poshtë pohimet se shteti i Liberisë e ka tërhequr njohjen për Kosovën.
Të mërkurën, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se ka pranuar një notë nga homologu liberian, Gbehzohngar Milton Findley, me të cilën është njoftuar se Liberia "e ka anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës".
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se ka biseduar me zyrtarë të lartë të Liberisë, të cilët, sipas tij, kanë thënë se tërheqja e njohjes nuk është e vërtetë.
"Sapo zhvillova një bisedë telefonike me udhëheqësit e lartë të Qeverisë së Liberisë, të cilët më konfirmuan se tërheqja e njohjes së Republikës së Kosovës nuk është e vërtetë, prandaj është për keqardhje që Beogradi zyrtar vazhdon të investojë përpjekje të kota në propagandë destruktive për konsum të brendshëm në Serbi", shkroi Pacolli në Facebook.
Në muajt e fundit, Beogradi ka lobuar te disa vende për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Kosova deri më tani ka siguruar 116 njohje të shtetësisë së shpallur në vitin 2008.