Ndërlidhjet

Arsimi dhe shëndetësia, dy fusha të lëna pas dore


Ilustrim
Ilustrim

Shëndetësia dhe arsimi mbesin dy nga sektorët më të pazhvilluara në Kosovë. Investimet e vogla në këto dy fusha, vlerësohet se kanë ndikuar shumë në cilësinë jo të kënaqshme qoftë në arsim, apo shëndetësi.

Të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, sipas organizatave që monitorojnë punën e institucioneve, kanë lënë anash këto dy fusha, edhe pse jetike për vendin. Viteve të fundit, janë shtuar shumat e ndarjeve buxhetore për arsim e shëndetësi, por gjendja vazhdon të cilësohet si jo e mirë.

Nga buxheti i Kosovës për vitin 2018, i cili kap vlerën prej 1 miliard e 829 milionë euro, për sektorin e arsimit janë ndarë 260 milionë, ndërsa për sektorin e shëndetësisë rreth 200 milionë euro.

Anëtarë të Komisioneve Parlamentare për shëndetësi dhe arsim e konsiderojnë gjendjen në këtë dy fusha nën nivelin e duhur, duke e vlerësuar rritjen e buxhetit si të domosdoshme.

Deputetja Arbërie Nagavci, anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë Teknologji, thotë për Radion Evropa e Lirë se nismat e ndërmarra nga autoritetet kompetente për përmirësime në fushën e arsimit në vend kanë qenë improvizime.

Ajo thekson se ka pasur nisma që ishin në aspektin teknik formal apo iniciativa pa një hulumtim apo pa një analizë të mirëfilltë paraprake dhe pa përcjellje me rritje të buxhetit për reformat që po synohen në arsim.

“Edhe pse arsimi pothuajse nga të gjitha qeveritë deri më tani është deklaruar si prioritet dhe së paku tre herë ka qenë prioriteti kryesor për qeverisjen që kanë qenë në Kosovë që nga paslufta asnjëherë nuk është përcjell me një rritej të buxhetit për këtë fushë kaq të rëndësishme dhe as me iniciativa të cilat kishin mundësuar që të kemi përmirësim të cilësisë në arsim. Kjo ka ndodhur për shkak se rezultatet në arsim kërkojnë përgatitej të mirë profesionale të udhëheqësve në dikastere ”, thotë Nagavci.

Në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare si dhe ekspertë të fushës së arsimit, kishin theksuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.

Në vazhdimësi ishte kërkuar nga autoritetet kompetente që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Një gjendje jo e mirë vazhdon të jetë në sektorin e shëndetësisë. Institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime kualitative, mungesë barnash apo edhe të materialit shpenzues.

Deputetja Time Kadriaj, nga Komisioni për Shëndetësi në Parlamentin e Kosovës, thotë se sektori i shëndetësisë po përcillet me probleme të shumta dhe se sipas saj, për të gjithë problemet në këtë sektorë ka ngritur shqetësimet në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Ajo thotë se buxheti që ndahet për shëndetësinë nuk është i kënaqshëm dhe se shëndetësia duhet të financohet ashtu si edhe sektorët tjerë.

“Në asnjë moment shëndetësia nuk ka qenë prioritet i qeverive dhe duke u bazuar në buxhetin e ndarë që ndahet për shëndetësinë në raport me vendet e rajonit shëndetësia në Kosovë ka qenë e nën financuara. Por, megjithatë të gjitha problemet që burojnë në shëndetësi nuk kanë të bëjnë direkt me buxhetin, pasi që shumë prej tyre janë probleme menaxheriale dhe kemi thënë që secili person dhe zyrtarë që merr pozitë menaxheriale ka edhe përgjegjësi”, thotë Kadrijaj.

Pavarësisht problemeve të mëdha në fushën e arsimit e shëndetësisë, autoritetet e vendit për vite me radhë nuk e kanë parë të arsyeshme që në mesin e prioriteteve të përcaktimit të politikave buxhetore ta vendosin këta dy sektor.

Në Kosovë, për vite me radhë, investimet më të mëdha janë bërë me ndërtimin e rrugëve, investime këto që nga ekspertë të fushës ishin konsideruar të nevojshme, por që gjithsesi investime të njëjta ishin kërkuar të bëhen edhe në arsim e shëndetësi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG