Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, udhëtoi për në Strasburg në kuadër të vizitave që ka nisur në kryeqendrat evropiane, për të diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Të martën, pritet që kryeparlamentari Veseli të takohet me kreun e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.
Sipas agjendës së publikuar nga zyra e tij, ai pritet të diskutojë për përmbushjen e të gjitha kritereve nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.
Në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se kryetari Veseli do të kërkojë vendimmarrjen e nevojshme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi lëvizjen pa viza në zonën Shengen gjatë këtij viti.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Strasburg, Veseli do të ketë takime të ndara edhe me raportuesen për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, si dhe me eurodeputetë tjerë, si Tonino Picula, i cili udhëheq delegacionin evropian për Kosovën dhe eurodeputetë nga Partitë Popullore Evropiane, si Cristian Dan Preda dhe David McAllister.