Kreu i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës tha se gazetari rus dhe kritiku i Kremlinit, Arkady Babchenko, është gjallë, një ditë pasi autoritetet ukrainase njoftuan se ai është vrarë nga një person i armatosur në apartamentin e tij në Kiev.
Vasyl Hrytsak tha se 'vrasja' është inskenuar për të ekspozuar agjentët rusë.
Ai u tha gazetarëve se shërbimet ruse të sigurisë kanë urdhëruar vrasjen e Babchenkos.
Babchenko po ashtu u shfaq në një konferencë shtypi në televizionin ukrainas të mërkurën, duke thënë se raportet fiktive për vdekjen e tij ishin pjesë e një operacioni që ishte përgatitur për dy muaj.
Babchenko falënderoi Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës për shpëtimin e jetës së tij.
Policia e Kievit dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Ukrainës thanë të martën se Babchenko ka vdekur në një auto-ambulancë, në rrugën për në spital, pasi u qëllua në shpinë jashtë banesës së tij në Kiev, ku ai ka jetuar në mërgim që nga gushti, 2017.
Kryeministri ukrainas, Volodimir Hroysman, tha më 29 maj se ai ishte "i bindur se makina totalitare ruse nuk mund ta falte ndershmërinë dhe pozicionin parimor" të Babchenkos.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se akuzat kundër Rusisë janë pjesë e një fushate anti-ruse.