Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Greqia arrijnë kornizë për marrëveshje rreth emrit


Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka njoftuar për arritjen e një kornize për marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit.

Ai i ka bërë këto deklarata për agjencinë MIA, pas takimit në Bruksel me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias.

“Kishim takim produktiv, kemi kornizë që duhet të përpunohet dhe momentalisht grupet e juristëve të të dy ministrive po punojnë për përmbajtjen e saj. Planifikohet një takim i rëndësishëm në nivel të kryeministrave, Zaev dhe Cipras nga mesi i javës. Besojmë se do të përcaktojnë disa punë të rëndësishme nga opsionet që janë në lojë”, deklaroi Dimitrov pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e kornizës.

Dimitrov, të hënën kishte një takim joformal me ministrat e punëve të Jashtme të BE-së apo zëvendësit e tyre.

Siç bëhet e ditur, Franca dhe Holanda kanë mbajtur qëndrimin e fortë për mosdhënien e datës për nisjen e bisedimeve, ashtu edhe siç pritej. Por, Dimitrov ka thënë se “janë të mundshme çudira”.

“Është e bukur të dimë se kjo nuk është punë e thjeshtë. Konsolidimi i brendshëm i BE-së është komplementar dhe jo në kundërshtim të konsolidimit të Ballkanit...Nuk jemi në situatë që të kemi luks dhe të lëshojmë shansin historik”, ka deklaruar Dimitrov.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë njoftuar për progres në bisedimet për zgjidhjen e kontestit.

“Të gjithë jemi shumë të inkurajuar nga përparimi mes Shkupit dhe Athinës për emrin. Të gjithë do të punojmë që të mbështesim një epilog pozitiv”, ka deklaruar shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Edhe komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn ka mirëpritur kthesën pozitive në procesin e bisedimeve duke theksuar se kjo do të ndihmonte procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Bisedimet në Bruksel, pasojnë ato në Nju Jork ku dy palët nuk arritën progres pasi Greqia hodhi poshtë propozimin, “Maqedonia e Ilindenit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG