Ndërlidhjet

Fajon për vizat: BE të japë më shpejt vlerësimin për Kosovën


Tanja Fajon, foto nga arkivi
Tanja Fajon, foto nga arkivi

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të japë sa më parë vlerësimin për Kosovën në mënyrë që qytetarët e saj të lëvizin pa viza.

Ajo këto komente i bëri pas takimit me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj në Bruksel.

“Sapo pata një takim produktiv me Enver Hoxhajn në Parlamentin Evropian. Liberalizimi i vizave është një top prioritet për Kosovën. Rikonfirmova mbështetjen time të fuqishme për këtë proces dhe do ta inkurajoj Komisionin Evropian që të japë sa më parë vlerësimin e tij për progresin“, ka shkruar Tanja Fajon në Twitter.

Javën që shkoi, një delegacion i Bashkimit Evropian ka qëndruar në Kosovë për të parë se sa e ka përmbushur Kosova kushtin e fundit për procesin e liberalizimit të vizave.

Pas votimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, kushti i fundit që do të duhej plotësuar është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në kuadër të plotësimit të këtij kushti, institucionet e Kosovës kanë shënjuar 43 raste si dhe kanë ushtruar 34 aktakuza, shtatë lëndë janë me aktgjykime të plotfuqishme, katër lëndë janë me aktgjykim të shkallës së parë që nuk janë të plotfuqishme dhe 23 aktakuza janë në faza të ndryshme të gjykimit.

Sipas Prokurorisë Speciale, katër lëndë janë në fazën e hetimeve, kurse të tjerat janë pushim i hetimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG