Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2018, si vit të kompleksit metalurgjik "Trepça", por ende nuk ka arritur të kompletojë Bordin Mbikëqyrës, i cili nevojitet për funksionalizimin dhe ringjalljen e këtij kompleksi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar një angazhim të shtuar dhe përkushtim më të madh, në mënyrë që "Trepça" të ringjallet dhe të riaktivizohen resurset e saj, duke e kthyer atë në misionin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Për këtë qëllim edhe është miratuar Ligji për Trepçën, por zbatimi i tij ka mbetur peng për shkak të mungesës së kompletimit dhe funksionimit të Bordit për këtë kombinat.
Në muajin e kaluar, ekzekutivi ka emëruar gjashtë nga nëntë anëtarë të Bordit, kurse ende nuk janë zgjedhur tre anëtarët e nga komuniteti serb, ashtu siç parashihet me ligj.
Anëtarët e Bordit, thonë se pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore janë të gatshëm që t’i pranojnë këto pozita, por që Beogradi po e pengon emërimin e tyre.
Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së “Trepçës”, njëherësh anëtar i Bordit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi është ai që po e mban të bllokuar funksionalizimin e Bordit, duke u bërë trysni serbëve që të mos bëhen pjesë e tij.
“Besoj se pjesa e qytetarëve në pjesën veriore janë të interesuar të jenë pjesë e Bordit, pasi ata jetojnë në Kosovë. Por, këtu po ndikon politika, konkretisht Beogradi zyrtar”.
“Unë kam pasur takime me kryetarin e sindikatës së punëtorëve në pjesën veriore. Ata janë të interesuar, por është vështirë për shkak të ndërhyrjes së politikës”, thotë Sadiku.
I njohur si gjiganti metalurgjik, "Trepça" është i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, që punojnë nën menaxhmentin e autoriteteve të Kosovës. I ndodhur në një gjendje të tillë, ëshë pas 19 vjetësh që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ky kombinat nuk arriti të rimëkëmbet.
Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës”, sipas ligjit, i cili është miratuar në vitin 2016, ishte dashur të themelohej brenda gjashtë muajve nga miratimi tij në Kuvendin e Kosovës.
Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit bartet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind do jenë aksione të punonjësve të "Trepçës".
Ligji i hartuar nga Qeveria e Kosovës për kombinatin "Trepça", i miratuar më pas nga Kuvendi, pati nxitur reagimin e Beogradi zyrtar, pasi që këtë kombinat Serbia vazhdon ta konsideroj si pjesë të ekonomisë së saj, ngjashëm siç e sheh edhe Kosovën si pjesë integrale të Serbisë në kuadër të preambulës së Kushtetutës.
Sadiku thotë se moskompletimi i Bordit paraqet problem në marrjen e vendimeve për minierat që gjenden në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat autoritetet zyrtare ende nuk kanë qasje.
“Gjashtë anëtarët aktualë të Bordit mund të marrin vendime, pasi është shumica, por problem është pjesa veriore, pasi në miniera në atë pjesë nuk kemi qasje. Ky është problemi më i madh”, shprehet Sadiku.
Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se gjatë këtij muaji, pritet që të emërohen edhe tre anëtar të bordit nga komuniteti serb.
“Çështja është në zyrën e kryeministrit dhe është në proces. Shpresojmë se kjo çështje do të tejkalohet brenda këtij muaji. Kështu janë edhe premtimet dhe procedurat që po zhvillohen kur është në pyetje përfaqësimi i tre anëtareve të bordit, që vijnë nga minoriteti serb”, theksoi Rexhepi.
Kombinati "Trepça" llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.
"Trepça" sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Kurse, 17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 asete të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnje e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.
Facebook Forum