Ndërlidhjet

Kërkohet debat në Kuvend rreth platformës së Qeverisë për dialogun


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Projekt-platforma e Qeverisë së Kosovës për finalizimin e dialogut me Serbinë, ka nevojë të plotësohet dhe ndryshohet për shkak të shumë mangësive, kanë theksuar deputetët nga Komisioni për Punë të Jashtme.

Projekt-platforma si e tillë, nuk ka kaluar në Komision, për shkak të mospajtimeve ndërmjet deputetëve nga pushteti dhe opozita dhe është kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që të sigurohet që të ketë debat në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se si dokument, platforma ka shumë mangësi.

“Ky dokument thotë që vendimi apo marrëveshja, do ta ketë parasysh integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, por askund nuk flitet se marrëveshja duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe askund nuk thuhet se rregullimi i brendshëm i Kosovës nuk do të negociohet, rrjedhimisht le hapësirë që çështjet e funksionalitetit të brendshëm të shtetit të jenë objekt negociatash, rrjedhimisht objekt kompromisi”, thotë Osmani.

Deputetët të Lidhjes Demokratike të Kosovës thonë se në seancë ku do të debatohet kjo platformë, do të sjellin argumentet e tyre në mënyrë që dokumenti të jetë më përmbajtjesor.

Ndërkohë, Aida Dërguti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk pajtohemi me këtë përmbajtje dhe rekomandojnë debat parlamentar lidhje me këtë çështje.

“Ne, si komision, nuk mund ta qesim në pikën zero si dokument, nëse është proceduar si i tillë, do të jetë pikë në rend dite mbi bazën e dokumentit. Ne si komision nuk pajtohemi me këtë përmbajtje dhe rekomandojmë që të ketë debat lidhur me këtë çështje”, thekson Dërguti.

Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Evgjeni Thaçi, se PDK-ja e mbështet platformën.

“Ne, si Grup Parlamentar, e mbështesin këtë platformë. Në këtë mënyrë unë mendoj që kjo platformë është përfshirëse, por ne e kemi për detyrë që të gjitha vërejtjet t’i inkorporojmë në këtë platformë, e që duhet të ketë debat për këtë”, thotë Thaçi.

Qeveria e Kosovës javë më parë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë. Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Si rezultat final, platforma synon që Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e BE-së, të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, dhe e cila për Kosovën do të ratifikohej nga Kuvendi si organi më i lartë.

Përmes marrëveshjes finale me Serbinë, e cila do të nënkuptonte normalizimin e raporteve, Kosova mëton të sigurojë heqjen e barrierave të krijuara për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat, strukturat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG