Ndërlidhjet

Serbët në dilemë, targat e Kosovës apo të Serbisë?


Targat KS, foto nga arkivi
Targat KS, foto nga arkivi

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës, në muajin mars të këtij viti ka sjellë vendimin për regjistrimin e sërishëm të automjeteve me tabelat e regjistrimit serbe, që bartin shenjat e qyteteve të Kosovës. Vendimi mbetet në fuqi për një vit dhe gjatë kësaj kohe të gjitha këto automjetet mund të marrin targat me shenjat RKS dhe KS.

Në vendim thuhet se të gjithë pronarët që kanë targa jolegale, janë të liruar nga tatimi për regjistrimin e automjeteve të tyre me tabela KS dhe RKS.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Milan Radojeviq, më herët pati deklaruar se një nga kushtet për regjistrim të sërishëm janë: që automjeti të jetë regjistruar deri më 14 shtator të vitit 2016, që është edhe datë e arritjes së marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, si dhe që vozitësi të ketë dokumente të Kosovës.

Radojeviq gjithashtu pati deklaruar se taksat e Ministrisë së Brendshme janë shfuqizuar, por taksat e ministrive të tjerat mbeten në fuqi.

Nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës, masat e tilla janë pritur në mënyra të ndryshme.

Vlada Deniq nga Mitrovica Veriore thotë se mbetet me dy mendje për t’iu nënshtruar procedurës së regjistrimit të sërishëm, për shkak se sipas tij, kjo do të nënkuptonte edhe pamundësinë për ta tjetërsuar automjetin dhe për ta bartur në të ardhmen pronësinë te ndonjë pronar tjetër.

“Shpresoj që Serbia nuk do të ndryshojë asgjë. Në qoftë se Beogradi e ka nënshkruar këtë, atëherë ne nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç që ta respektojmë atë dhe nëse duam të jetojmë këtu, atëherë duhet ta bëjmë edhe regjistrimin e sërishëm”, tha Deniq.

Ai ka shtuar se kjo do ta mundësonte lëvizjen e lirë nëpër Kosovë edhe për ata, të cilët për shkak të targave që nuk i pranon Prishtina zyrtare, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Siç tha ai, nuk ka mbetur tjetër, përveç pranimit të realitetit.

Stefan Aritonoviq, e ka bërë regjistrimin e sërishëm të automjetit të tij, sepse, siç thotë ai, e ka të domosdoshme një gjë të tillë, marrë parasysh që jeton në Prilluzhë, e cila gjendet në anën jugore prej lumit Ibër. Sipas tij, ky vendim ua lehtëson jetën shumë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, sepse më situatën e tanishme, mjaft qytetarë e paguajnë dy regjistrime, me tabela të Kosovës dhe me tabelat që i lëshon shteti serb me shenjat e qyteteve të Kosovës, në mënyrë që të mund të lëvizin në të dy vendet.

“Me tabelat e regjistrimit KS, e merrnin vërtetimin me të cilin lehtësisht mund të lëvizin për në Serbi, pa asnjë shpenzim shtesë”, tha Aritonoviq, duke shtuar se me tabelat e lëshuara nga shteti i Serbisë, nuk mund të lëvizte drejt Prishtinës ose Graçanicës, për shkak se ato janë jolegale.

Një protestë e serbëve në veri të Mitrovicës kundër targave të Kosovës. Foto nga arkivi
Një protestë e serbëve në veri të Mitrovicës kundër targave të Kosovës. Foto nga arkivi

Olivera Milosheviq nga Mitrovica Veriore thotë se nuk e ka të nevojshme që ta bëjë regjistrimin e sërishëm të automjetit.

“Nevojat tona në veri të Kosovës janë të orientuara kah Serbia dhe jo në Kosovën qendrore. Unë nuk do të hyja në këtë aventurë të ndërrimit të tabelave dhe të regjistrimit në tabela të Kosovës”, tha Milosheviq.

Milorad Radoviq, thotë se edhe në rast se ndërrohen tabelat, mbetet pikëpyetje nëse për automjetet e tilla do të ketë ndonjë shenjë të veçantë, gjë që sipas tij, nuk do të ishte mirë.

“Pavarësisht nga të gjitha, kjo varet se çfarë shenjash do të barten, në mënyrë që ne nga veriu të mos shënohemi se çfarë tabelash bartim”, tha Radoviq.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2011, parasheh që të gjithë pronarët e automjeteve, të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të shfrytëzojnë targat e regjistrimit me shenjën KS ose RKS dhe në këtë mënyrë të hiqen nga përdorimi tabelat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me shenjat: PR (Prishtina), KM (Mitrovica), UR (Ferizaj), PZ (Prizren) dhe GL (Gjilan), të cilat për autoritetet e Kosovës janë jolegale.

Marrëveshja e re për tabelat e regjistrimit, e vitit 2016, përveç heqjes së tabelave serbe të regjistrimit, parasheh edhe shfuqizimin e “tabelave provuese”, të cilat Serbia i jep për automjetet me tabela të Kosovës dhe që qarkullojnë në Serbi. Marrëveshja e re parasheh që simbolet shtetërore që gjenden në tabela të regjistrimit të mbulohen.

Kjo pjesë e marrëveshjes ende nuk është duke u zbatuar.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG