Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i bëri thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që të mos tërhiqet nga marrëveshja historike bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, duke thënë se SHBA-ja do të përballet me "pasoja të rënda" nëse e shkel paktin.
"U them atyre në Shtëpinë e Bardhë se nëse nuk i përmbushin angazhimet, Qeveria e Iranit do të reagojë në mënyrë të vendosur", tha Rohani në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.
Trump u ka dhënë nënshkruesve evropianë të marrëveshjes afat deri më 12 maj, për të përmirësuar, siç ka thënë ai, "të metet a tmerrshme" të saj dhe ka kërcënuar se SHBA do të tërhiqet nëse marrëveshja nuk përmirësohet.
Me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 nga Irani, SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania, Republika Islamike është dakorduar të frenojë aktivitetin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Përveç SHBA-së, të gjithë nënshkruesit e tjerë kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen.
Trump ka thënë se Teherani është duke shkelur “frymën” e marrëveshjes me hedhjen e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen e militantëve në rajon.