Presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë se Irani do të krijojë ose blejë çdo armë që i duhet për të mbrojtur Iranin nga “fuqitë pushtuese” derisa ushtria ka zhvilluar paradë në Ditën Kombëtare të Ushtrisë.
Rohani ka thënë para turmës dhe audiencës televizive të mërkurën se forcat iraniane nuk përbëjnë kërcënim për fqinjtë.
“Ne po i tregojmë botës se do të prodhojmë ose pajisemi me çdo armë që na duhet dhe nuk do të presim për miratimin e tyre. Ne po u tregojmë shteteve fqinje se armët tona nuk janë kundër tyre, janë vetëm për mbrojtje”, ka thënë Rohani.
“Ne nuk jemi duke jetuar në një rajon normal dhe shohim se forcat pushtuese kanë ndërtuar baza rreth nesh. Në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare ata intervenojnë në çështjet rajonale dhe pushtojnë shtetet pa leje të OKB-së”, ka thënë Rohani.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë nisur sulme ajrore kundër aletit të Iranit, Sirisë si përgjigje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike në Duma.
Ata fajësojnë qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad për sulmin e 7 prillit në qytetin sirian.
Britania, Franca dhe Gjermania kanë propozuar sanksione të reja kundër Iranit për programin e raketave balistike dhe rolin e saj në luftën në Siri.
Vendet Perëndimore kanë bërë këto propozime pas paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump se do të largohet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore pasi të njëjtën e konsideron me “të meta të tmerrshme”.