Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi, sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit.
“Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”, tha Macron.
Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana evropiane kur është në pyetje Ballkani Perëndimor.
Ai tha se mbron një qasje të dyfishtë: përafrimin e rajonit kah Evropa, por edhe reformimin e brendshëm të tij përpara anëtarësimit.
“Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, tha Macron.
Ky ka qenë adresimi i tij i parë në Parlamentin Evropian prejse ka marrë detyrën e presidentit të Francës.
Franca është në mesin e atyre vendeve të BE-së, që nuk duan të lidhen me afate kohore sa i përket zgjerimit të bllokut.