Helmimi me agjent nervor i ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, në Sallsbëri të Anglisë tregon se sa "e pamatur mund të jetë Rusia", tha shefi i agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ, Jeremy Fleming.
Sulmi i 4 marsit, për të cilin Londra e fajëson Rusinë, ka çuar në krizën më serioze diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Rusia e ka mohuar çdo përfshirje.
Fleming tha se helmimi i Skripalëve ka qenë "tronditës" dhe ka treguar se Moska "nuk luan me rregulla të njëjta".
Ai e akuzoi Rusinë për kalimin e kufirit midis aktivitetit shtetëror dhe kriminal.
"E keni dëgjuar të jetë thënë dhe unë po e përsëris: sulmi mbi Sergei dhe Yulia Skripalin në Sallsbëri ka paraqitur herën e parë të përdorimit të agjentit nervor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore", tha Fleming, duke folur në një konferencë kibernetike në qytetin verior të Mançesterit.
Lexoni edhe këtë:
Rasti Skripal: Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmon gjetjet e Britanisë