Ndërlidhjet

Shkëmbim frytdhënës i përvojave me mjekët nga Evropa


Foto ilustrim
Foto ilustrim

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vazhdimësi vijnë mjekë nga shtete të ndryshme të Evropës për të shkëmbyer përvoja, kryesisht për operacione të ndërlikuara.

Në këtë rast, jo vetëm pacientët kosovarë janë ata që përfitojnë, duke u operuar falas nga mjekë specialistë ndërkombëtarë. Përfitime kanë edhe stafi mjekësor vendor, i cili njihet me praktikat e ndryshme mjekësore që përdoren sot në botë.

Një ekip i mjekëve nga Suedia po qëndron nga dita e hënë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku si rrjedhojë, në kirurgjinë e fëmijëve, ka kryer mbi 20 trajtime, përfshirë edhe ndërhyrje kirurgjike.

Gani Çeku, kirurg i fëmijëve në Qendrën Klinike Univeristare i tha Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi me ekipe të ndryshme mjekësh ka filluar qysh në vitin 2004. Ai tutje shton se përvojat e marra nga mjekë nga e gjithë Evropa janë të frytshme dhe më pas aplikohen nga stafi mjekësor vendor.

“Është një bashkëpunim që kemi filluar që nga viti 2004. Përfitimi ka qenë i dyanshëm. Edhe ne si ekip kemi arritur të shkojmë në qendrat e tyre klinike dhe të bashkëpunojmë me metodat më bashkëkohore në Kirurgjinë Pediatrike, e në veçanti me problemet urologjike të fëmijëve”.

“Mjekët nga Suedia që tash i kemi këtu na kanë ndihmuar kohë më parë me aparaturë moderne, e që edhe jemi trajnuar prej tyre. Trajtimi i disa sëmundjeve që është bërë këtë herë është bërë me metodat më të sofistikuara e që ne nuk i kemi kryer, por që pacientët fëmijë në këtë rast kanë përfituar nga ekipi suedeze”.

“Ne kemi bashkëpunim me shtetet nga Austria, Gjermani, Holanda, dhe Suedia e që kemi bashkëpunim mjaft të gjatë”, tha Çeku.

Edhe Klinika e Kirurgjisë Plastike është një prej atyre që ka përfituar nga përvojat e ekipeve mjekësore nga Evropa. Doktoresha Violeta Zatriqi, i tha Radios Evropa e Lirë se së fundmi është kryer një operacion plastik i rrallë, e që nga stafi mjekësor vendor nuk është bërë më herë. Bëhet fjalë për modifikimin gjatë operimit të syrit, pacientit të cilit i ishte hequr, për shkak të problemeve që ka pasur me të.

“Bashkëpunimi në Klinikën Kirurgjike Plastike me mjekë të huaj është i mirëseardhur si për stafin, po ashtu edhe për pacientët. Kryhen operacione më specifike kur vijnë ekipe nga jashtë. Mjekët nga Suedia vijnë dy herë në vit në klinikën tonë, ku gjatë kësaj kohe bëjmë përgatitjen e pacientëve për intervenime më të ndërlikuara, ku bëhet shkëmbimi i përvojave. Stafi jonë përfiton nga njohuritë e mjekëve të huaj dhe ka mjekë që shkojnë në qendrën spitalore prej nga vijnë këta mjekë dhe i sjellin përvojat e tyre për t”i aplikuar në Kosovë”.

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se përpos shkëmbimit të përvojave mes mjekëve vendor dhe atyre të huaj, ka pasur në vazhdimësi mbështetje të donatorëve, që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore.

Ata kanë shtuar tutje se po punohet në vazhdimësi që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja pasi ato janë të domosdoshme, si krijimi i ambientit të përshtatshëm për shkollim të mëtutjeshëm të mjekëve nga Kosova në klinika të ndryshme evropiane e më gjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG