Ndërlidhjet

Orban shpall "fitore historike"


Viktor Orban
Viktor Orban

Viktor Orban, kryeministri i krahut të djathtë të Hungarisë, shpalli fitore "historike" të partisë së tij Fidesz në zgjedhjet kombëtare të së dielës.

"Kemi fituar. Të dashur miq, beteja e madhe është prapa nesh. Kemi shënuar fitore historike, kemi fituar një shans, kemi krijuar një shans për të mbrojtur Hungarinë", u tha Orban mbështetësve.

Me 98.5 përqind të votave të numëruara, Fidesz ka fituar 48.8 përqind të tyre - shumë më shumë se partia radikale nacionaliste Jobbik, e cila ka dalë e dyta me 20 përqind.

Sipas sistemit elektoral të Hungarisë, i cili favorizon partitë më të mëdha, Fidesz duket se do të ketë dy të tretat e ulëseve në Parlament.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e lartë se sa pritej, përkatësisht rreth 68 përqind, dhe shumë kritikë të Orbanit kanë shpresuar se kjo do t’i ndihmojë partitë opozitare.

Megjithatë, Orban ka fituar mandatin e tretë të njëpasnjëshëm si kryeministër.

Orban, 54 vjeç, i cili ka shërbyer si kryetar i qeverisë edhe nga viti 1998 deri më 2002, ka bërë fushatë mbi një platformë të fuqishme kundër migrantëve dhe votimet e së dielës i ka cilësuar si “shans për hungarezët për të rikthyer vendin e tyre”.

“Ata duan të na marrin atdheun tonë përsëri”, ka thënë Orban në një tubim të partisë Fidez më 6 prill.

"Partitë që u shërbejnë interesave të huaj dhe politikanët që marrin paga të huaja duan të qeverisin dhe ta kthejnë Hungarinë në një vend migrantësh", ka shtuar ai.

Poster kundër migrantëve në Budapest.
Poster kundër migrantëve në Budapest.

Nën udhëheqjen e Orbanit, Hungaria ka ndërtuar gardhe përgjatë kufijve të saj me Serbinë dhe Kroacinë në vitin 2015, për të ndaluar hyrjen e migrantëve të paligjshëm.

Orban ka filluar karrierën e tij politike si aktivist liberal në fund të viteve 1980, por ai është akuzuar nga kritikët për braktisjen e rrugës paskomuniste demokratike të Hungarisë për një drejtim gjithnjë e më autoritar.

Gjatë tetë vjetëve të fundit, Qeveria e Orbanit ka zgjeruar kontrollin mbi mediat dhe, nëpërmjet aleatëve në sektorin e biznesit, ka fituar ndikim mbi sektorin bankar, energji, ndërtim dhe turizëm.

Disa kritikë po ashtu thonë se Orban është shumë i akomoduar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Edhe pse dikur ka qenë kritik i Putinit, Orban, pas fitores së partisë së tij më 2010, ka bërë thirrje për transformimin e Hungarisë në një “shtet liberal”, duke përmendur Rusinë dhe Turqinë si shabllone për sukses.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG