Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për shkak të qëndrimit të tij kundër deportimit të shtetasve turq.
Erdogan ka deklaruar sot se është “i brengosur” me vendimin e kryeministrit Haradinaj për të shkarkuar ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për shkak të arrestimit dhe më pas të deportimit në Turqi të gjashtë shtetasve turq. Haradinaj kishte deklaruar se ai nuk ka qenë i informuar për këtë operacion, transmeton AP.
Erdogan gjatë një tubimi të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi ka thënë se Haradinaj “do të paguajë” për këto veprime.
“Shërbimi ynë kombëtar i Inteligjencës ka kapuar në Kosovë dhe solli këtu gjashtë përfaqësues të lartë (të lëvizjes së Fethullah Gulenit). Por jam i pikëlluar. Kryeministri i Kosovës shkarkoi shefin e inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Tani pyes: Kryeministër i Kosovës, me udhëzimet e kujt ndërmorre hapa të tillë? Që kur ke fulluar që të mbrosh ata që punojnë për të bërë grusht shtet ndaj Republikës Turke? A nuk e dini se ne ishim shteti i dytë në botë, as një orë pas shpalljes së pavarësisë, ne e njohëm Kosovën? Si mund t’i ushqesh njerëzit që tentuan të bëjnë puç kundër Turqisë, shtetit që ju konsideron vëlla? Do të paguash për këtë”, ka thënë Erdogan.
Turqia e akuzon klerikun fetar, Fetullah Gulen se qëndron prapa tentim grusht shtetit të vitit 2016.
Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka kërkuar hetim mbi deportimin e shtetasve turq. Ai ka përsëritur qëndrimin se nuk ka qenë i njoftuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit, duke thënë se veprime të tilla nuk guxojnë të ndodhin më në Kosovë.