Koha kur sëmundja e etheve hemorragjike krime kongo shfaqet në Kosovë është nga prilli deri në shtator.
Kjo sëmundje shkaktohet nga pickimi i rriqrave, ndërsa vatër e saj janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.
Ethet hemorragjike krime kongo kanë paraqitur për vite me radhë problem për qytetarët në Kosovë.
Për rrjedhojë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa parandaluese edhe këtë vit.
Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo ministri, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, ka shqyrtuar situatën epidemiologjike për trajtimin dhe marrjen e masave për këtë çështje.
Në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë.
Derisa në vitet në vijim, falë masave parandaluese, janë evituar viktimat.
“Edhe këtë vit, si vitet paraprake, kemi marrë masa parandaluese për ethet hemorragjike krime kongo, së bashku me këshillin ndërministror. Prej vitit 2013, kur kanë ndodhur 11 vdekje në Kosovë, më nuk kemi pasur situatë të tillë. Kjo, falë bashkëpunimit me institucionet relevante”, tha Matoshi.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, epidemitë janë te paparashikueshme dhe në rast të ndonjë shpërthimi eventual, institucionet shëndetësore janë në gjendje gatishmërie.
Besim Zogaj, mjek në Malishevë, tha se shpërthimet epidemike ndodhin zakonisht në tre ose katër vjet. Sipas tij, viti 2013 ka qenë vit shumë i vështirë, ku vetëm në Malishevë, si zonë endemike me ethe hemorragjike, janë prekur 18 persona dhe kanë humbur jetën 6 persona.
“Unë jam ballafaquar me kohën më të vështirë. Fatmirësisht, situata tani është ndryshe”, tha Zogaj.
Infektologu Hamdi Ramadani, njëherësh drejtor i Klinikës së Infektologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se në rast të shpërthimit epidemik të etheve hemorragjike, kjo klinikë është e përgatitur me burime njerëzore dhe me barna për trajtim.
“Ne që e trajtojmë sëmundjen, i kemi dhënë rekomandimet tona që preventiva është masa më e mirë. Më pas, Ministria e Shëndetësisë, me institucionet tjera relevante, kanë përpiluar planin preventiv”, tha Ramadani.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik u tha se do të përcillet çdo pickim i dyshimtë dhe se do të bëhet diagnostikimi i saktë për të gjitha rastet e sëmundjes.