Ndërlidhjet

Ivanov mban peng Ligjin për gjuhën shqipe


Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë një adresimi para Kuvendit. Foto nga arkivi
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov gjatë një adresimi para Kuvendit. Foto nga arkivi

Ligji për përdorimin e gjuhëve më të cilin avancohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet qendrore në Maqedoni, ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të qëndrimit të palëkundur të presidentit Gjorge Ivanov për mosdekretimin e tij. Ligji është miratuar më 14 mars, dhe sipas disa interpretimeve ai duhej të dekretohej nga presidenti brenda tetë ditëve nga miratimi. Por, Ivanov ka thënë se ligji nuk do të nënshkruhet nga ana tij për shkak të vlerësimeve se është “anti-kushtetues dhe nxitës i tensioneve ndëretnike”.

Që një ligj të dekretohet, apo të shpallet në gazetën zyrtare, ai duhet të ketë dy firma të Kryetarit të Kuvendit dhe të Presidentit të Republikës.

Qëndrim të njëjtë me Ivanovin ka edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila edhe e ka zgjedhur në këtë post. Ajo thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve, përveç që është anti-kushtetues, godet edhe buxhetin e shtetit, pasi shumë para të qytetarëve, në vend që të shpenzohen për ngritjen e standardit, do t'i dedikohen zbatimit të këtij ligji.

“Ligji për dygjuhësinë përveç që del nga kornizat e Kushtetutës dhe nga Marrëveshja kornizë e Ohrit, për çka edhe kanë alarmuar edhe ekspertët, ai do të shkaktojë edhe komplikime të mëdha financiare. Qeveria e LSDM-së, në vend që të angazhohet për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, për shfrytëzimin e parave për projekte nga të cilat do të kishin përfitime edhe maqedonasit, por edhe shqiptarët, ajo parat do t'i shpenzojë për zbatimin e këtij ligji anti-kushtetues, për përkthime, për tabela dygjuhëshe, për uniforma, banknota e harxhime tjera, që janë prodhim i këtij ligji anti-kushtetues”, ka deklaruar Darko Kosotovski, nga partia VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet, thonë se ligji duhet të hyjë në fuqi, por nuk qartësojnë se çfarë metodash do të përdorin për të bindur presidentin, apo nëse ligjin do ta botojnë në gazetën zyrtare vetëm se me firmën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe pse një veprim i tillë nga njohës të çështjeve juridike, vlerësohet si shkelje e Kushtetutës.

Ligji për gjuhët është miratuar për herë të dytë në një seancë të tensionuar. Deputetët e VMRO-s i janë afruar karriges së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, për ta parandaluar atë të mbajë seancën. 14 mars, 2018.
Ligji për gjuhët është miratuar për herë të dytë në një seancë të tensionuar. Deputetët e VMRO-s i janë afruar karriges së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, për ta parandaluar atë të mbajë seancën. 14 mars, 2018.

Kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje para medieve, ka thënë se ligji duhet të rrumbullakohet dhe të gjithë të kontribuojnë për ngritjen e një shoqërie qytetare në vend.

“Gjithçka tjetër paraqet inat dhe bllokim të kësaj zgjidhjeje ligjore. Nëse vërtetë jemi për ndërtimin e një shoqërie qytetare, atëherë edhe VMRO-ja edhe presidenti kanë shansin që këtë ta dëshmojnë në vepër. Ne, konsiderojnë se nga ky ligji nuk rrezikohesh askush, përkundrazi me të rregullojmë një të drejtë që u takon edhe bashkësive tjera etnike. Ne kemi thënë disa herë se ka edhe institucione tjera, si Gjykata Kushtetuese, për të vlerësuar nëse ligji është ose jo në përputhje me Kushtetutën aktuale”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas takimit që pati të premten me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kotzias, tha se presidenti është i detyruar që ta dekretojë ligjin, me të cilin siç tha, përmbyllet kapitulli kryesore i Marrëveshjes së Ohrit.

“Zoti Ivanov e ka obligim kushtetues që ta nënshkruajë këtë ligj dhe bën mirë që të mos hezitojë sepse kështu ndihmon në përmbylljen e një kapitulli shumë të rëndësishëm të Marrëveshjes së Ohrit”, ka deklaruar kryetar i BDI-së, Ahmeti.

Ligji për gjuhët është miratuar dy herë në Kuvend. Pas refuzimit të parë nga presidenti, VMRO-ja paraqiti mbi 35 mijë amendamente, të cilat nuk u morën parasysh nga shumica parlamentare, e cila nën tensione e miratoi për së dyti ligjin. Por, që ai të bëhet i plotëfuqishëm duhet të dekeretohet nga presidenti, por ai këtë refuzon ta bëjë edhe pse e obligon neni 75 i Kushtetutës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG