Ndërlidhjet

Kotzias arrin në Shkup për bisedime rreth çështjes së emrit


Nikos Kotzias
Nikos Kotzias

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka mbërritur për vizitë zyrtare në Maqedoni pasi do të bisedojë me autoritetet maqedonase për çështjen e emrit.

Kocijas është zyrtari i parë grek që arriti në aeroportin e Shkupit, i cili kohë më parë mbante emrin “Aleksandri i Madh”.

Kotzias sonte do të zhvillojë një darkë pune me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ndërsa të premten pritet të takohet me kryeministrin maqedon, Zoran Zaev, kryeparlamentarin Talat Xhaferi si dhe me liderët e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe atë të BDI-së, ALi Ahmeti.

Në këto takime do të bisedohet për draft-marrëveshjen e dy shteteve për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar.

Drafti i palës greke në Shkup ka arritur në fillim të javës, ndërsa të mërkurën edhe pala maqedonase i ka dërguar Athinës draftin e saj.

Ende nuk janë dhënë detaje mirëpo jozyrtarisht është thënë se ato përmbajnë qëndrimet tani veçse të njohura.

Greqia do të insistojë në një zgjidhje të njohur si “erga Omnes”, që nënkupton gjetjen e një emri si për përdorim të brendshëm ashtu edhe ndërkombëtar.

Emri i ri sipas palës greke nuk duhet të përkthehet në gjuhën angleze apo në ndonjë gjuhë tjetër dhe si më i pranueshëm për ta mbetet “Gorna Makedonija” apo Nova Makedonija”.

Ajo gjithashtu insiston edhe në ndryshimin e kushtetutës dhe rrjedhimisht të gjuhës dhe të identitetit të definuar në kushtetutën aktuale si “populli maqedon”.

Por, pala maqedonase ka bërë të ditur se nuk do të pranonte këto kërkesa dhe si propozim të saj ka gjetjen e një emri me përcaktim gjeografik, por pa prekur kushtetutën dhe elemente tjera që lidhen me identitetin dhe kulturën.

Ndryshe, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, në Shkup është pritur me protesta nga një grup qytetarësh, të cilët kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve për ndryshimin e emrit.

Ata thanë se Maqedonia është e maqedonasve dhe do e presin Kotzias ashtu siç ju ka hije.

“Ndal bisedimeve për emrin”, “Maqedonia është e maqedonasve”, “Ta presim si na ka hije. Ta presim maqedonisht”. "T’i tregojmë deri ku dhe e kujt është Maqedonia”, ishin disa nga parullat që mbanin protestuesit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG