Ndërlidhjet

Hoxha: Liberalizimi i vizave brenda gjashtë muajve


Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha në një konferencë për media ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat për liberalizimin e vizave dhe përgjegjësia, sipas saj, tani është në anën e institucioneve të Bashkimit Evropian.

Deklarata e ministres Hoxha vjen një ditë pas që Kuvendi i Kosovës ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ajo është shprehur optimiste se qytetarët e Kosovës brenda këtij viti do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

“Hapa që tani priten nga institucionet e Bashkimit Evropian janë: fillimi i negociatave për ndryshimin e rregullores 539/2001 në mes tri institucioneve kryesore Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, pastaj miratimi i rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian, miratimi nga Këshilli i Ministrave, ceremonia e Këshillit dhe në fund publikimi në gazetën zyrtare dhe hyrja në fuqi”.

“Ne presim që të gjitha këto procedura të mos marrin më shumë se gjashtë muaj duke u bazuar në praktika të vendeve të tjera që kanë marrë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka sqaruar Hoxha.

Ndërkohë, sa i përket kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministrja Hoxha thotë se Kosova ka shënuar progres.

“Sa i përket plotësimit të kriterit të luftimit të korrupsionit. Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimeve serioze respektivisht udhëheqjes së prokurorisë speciale janë shënjuar 39 raste, janë ngritë 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallë të ndryshime të shqyrtimit gjyqësor dhe 7 raste janë përmbyllë në formë të vendimit të prerë. Vlerësimi jonë është se për qëllime të liberalizimit kriteri kundër luftës së korrupsionit ka shënuar progres të mjaftueshëm, por presim vlerësim final nga institucionet e BE”, thotë Hoxha.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG