Britania, Franca dhe Gjermania i kanë propozuar Bashkimit Evropian sanksione kundër Iranit, që lidhen me programin e tij me raketa balistike dhe me rolin e tij në luftën e Sirisë, thuhet në një dokument që ka parë Reuters.
Sipas kësaj agjencie të lajmeve, ky dokument mund të ketë qëllim të përmbushë kërkesat e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ta mbajë atë "të përkushtuar" ndaj marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.
Trump ka kërcënuar më herët se do të tërhiqet nga kjo marrëveshje.
Reuters, duke cituar dy njerëz të afërt me çështjen, tha se dokumenti është dërguar në kryeqytetet e BE-së më 16 mars për të matur nivelin e mbështetjes për sanksione të reja.
Sipas rregullave të BE-së, të 28 vendet anëtare duhet të pajtohen për sanksione të tilla.
Dokumenti po ashtu thotë se Britania, Franca dhe Gjermania janë të përfshira në "bisedime intensive me administratën Trump për të arritur riafirmim të qartë dhe të qëndrueshëm të mbështetjes amerikane për marrëveshjen bërthamore pas 12 majit".
Trump ka kërcënuar se do ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshja nëse aleatët evropianë dhe Kongresi amerikan nuk pajtohen deri më 12 maj për të rregulluar, siç ka thënë ai, "të metat katastrofike" në marrëveshje.
Me këtë marrëveshje, që është arritur në vitin 2015, Irani është dakorduar të frenojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Trump thotë se Teherani e ka shkelur "frymën" e marrëveshjes bërthamore dhe se përdor programin e tij të raketave balistike për të vazhduar zhvillimin e armëve bërthamore.
Irani ka thënë se nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja, edhe ai do të tërhiqet.