Ndërlidhjet

Kërkohet zbardhja e vdekjes së Astrit Deharit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Kuvendin e Kosovës është mbjatur interpelancë në lidhje me vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, i cili humbi jetën në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka këkruar shkarkimin e ministres Dhurata Hoxha, zyrtarëve policorë të cilët, siç thotë ai, kanë qenë përgjegjës në ditën kur ka vdekur Astriti.

“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë pra me 5 nëntor 2016 Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që ishte gjetur aty, për katër minuta njeriu vdesë katër herë”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës Abelard Tahiri theskoi se deri në një vendim final nuk do të ndalet në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.

“Që nga java e parë e marrjes së detyrës, rastit të Astrit Deharit i jam qasur me seriozitet, për aq sa kam mandat institucional dhe ligjor. Më datën 27 shator të vitit 2017 i kam dërguar letër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit ku kam shprehur gatishmërinë time të plotë që të ofrojë ndihmën e nevojshme institucionale dhe financiare për realizimin e ekspertizës brenda dhe jashtë shtetit”.

“Jemi në një proces ku prokuroria dhe prokurori i rastit janë duke përkthyer materialin e kërkuar nga instituti i Zvicrës dhe çdo gjë që kërkohet nga ky institucion do të ju njoftoj dhe në kuadër të kompetencave të mija deri sa të zbardhet e vërteta dhe derisa të kemi vendim final nuk do të ndalem”, tha Tahiri.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradnaj ka bërë të ditur se Qeveria do t’i mbulojë shpenzimet e hetimit të pavarur për rastin Dehari.

Interpelanca për vdekjen e Astrit Deharit u mbyll pa vendim meqë në votim të mocionit të paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje në sallë nuk ishin as gjysma e deputetëve.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç, ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist.

Prokuroria pati dalë me prezantimin e ekspertizës ligjore, sipas të cilës, Dehari kishte bërë vetëvrasje.

Një konstatim të tillë e patën kundërshtuar familja e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe avokati i rastit, Tomë Gashi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG