Ndërlidhjet

Qeveria shpenzon gjysmën e rezervave shtetërore


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës, ka shpenzuar gati gjysmën e rezervave shtetërore vetëm për tre muajit e parë të këtij viti. Për shpenzimin e këtyre mjeteve shqetësim ka ngritur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza duke thënë se “ rezervat janë duke shkuar kah fundi”.

Nga rreth 4 milion e 800 mijë euro sa janë ndarë si rezerva shtetërore në bazë të Ligjit Vjetor të Buxhetit për këtë vit, deri në javën e parë të këtij muaji, janë shpenzuar mbi 2 milionë euro, tha për Radion Evropa e Lirë, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave të Kosovës.

“Ministri Hamza, publikisht ka kërkuar që kërkesat të planifikohen me kohë dhe të futen brenda planifikimeve të rregullta të buxhetit. Ndërsa rezerva shtetërore të ruhet për rastet të cilat nën asnjë rrethanë nuk kanë mundur të planifikohen, siç mund të ndodh në rastet e fatkeqësive apo diçka tjetër, që nuk janë paraparë me buxhet”, tha Shahini

Në bazë të ligjit shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.

Organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojë në Ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen.

Alarmuese e quan mënyrën e shpenzimeve të parave publike nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, edhe deputeti Lumir Abdixhiku nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se rezervat shtetërore janë ndarë në mënyrë kaotike, pa ndonjë kriter apo arsye të caktuar.

“Nëse rezervat shtetërore janë shterur që në fillim të këtij viti, atëherë lënë pak hapësirë për shpenzime tjera të paparashikueshme gjatë gjithë vitit. Përgjegjësia kryesore për shpenzimin e mjeteve të tilla bie eksluzivisht mbi Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës që në mënyrë arbitrare i kanë ndarë këto mjete”, theksoi Abdixhiku.

Ndryshe, një shumë më e madhe e mjeteve financiare nga rezervat shtetërore janë ndarë për organizimin e manifestimeve të ndryshme dhe për energji.

Ekspertë për çështje ekonomike thonë se përdorimi i mjeteve të rezervave shtetërore ishte i paarsyeshëm, pasi që, sipas tyre, këto mjete duhet të shpenzohen në raste emergjente.

Mejdi Bektashi profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se institucionet kompetente është dashur të gjejnë mjete tjera për financimin e aktiviteteve të ndryshme dhe të mos e bëjnë këtë me anë të fondit nga rezervat e shtetit.

“Kjo mund të plotësohet përmes rishikimit të buxhetit në pjesën e tretë të vitit dhe do të ishte mirë që këto mjete të jenë jo vetëm 4.8 milionë euro, por të jenë dy ose tre fish më ta larta dhe të përdorën për mbulimin e rasteve më emergjente”, shprehet Bektashi.

Përveç ndarjes së mjeteve financiare, Republika e Kosovës ka vite që ka filluar grumbullimin e rezervave shtetërore, sidomos të artikujve të nevojshëm, të cilët duhet të shfrytëzohen për nevojat e furnizimit të qytetarëve në raste të luftës apo fatkeqësive të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG