Ndërlidhjet

Haradinaj: Seanca për demarkacionin mbahet të martën


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pritet të mbahet të martën e ardhshme. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shtyrja e kësaj seance, e cila nga zyrtarët e lartë të Qeverisë ishte paralajmëruar se do të mbahet këtë javë, erdhi si rezultat i mungesës së disa deputetëve, të cilët, thuhet se janë jashtë vendit.

Haradinaj tha se pret që deputetët të reflektojnë dhe ta mbështesin marrëveshjen në mënyrë që Kosova të shmangë izolimin ndërkombëtar.

“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha Haradinaj.

Sidoqoftë, mbetet ende e paqartë nëse Kuvendi i Kosovës i ka siguruar 80 votat e domosdoshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Koalicioni qeverisës, me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga opozita, pretendon se i ka 78 – 79 vota, ndërkaq shpresohet se deri të martën, do të arrihet të sigurohet edhe mbështetja e një apo dy deputetëve tjerë në mënyrë që të plotësohet numri i nevojshëm i votave për ratifikimin e demarkacionit.

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, ngase kishte mungesë të votave për ratifikimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kusht i vendosur nga Komisioni Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG