Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Kosova nuk mund të ketë ushtri dhe se "formacioni i tillë ilegal i armatosur" do të përbënte kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Duke komentuar deklaratën e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, se askush nuk ka të drejtën e vetos mbi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe se vendi i tij do ta mbështesë këtë transformim, Vulin tha se ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë.
"'Në Kosovë dhe Metohi' mund të ekzistojë vetëm një forcë e armatosur dhe ajo është KFOR-i. Derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos e ndryshojë vendimin e tij, kështu do të jetë. Dhe për Serbinë kjo është mundësia e vetme e pranueshme", tha Vulin, transmeton Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Mitchell ka qëndruar të hënën në Prishtnë, ndërsa të martën në Beograd është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.