Ndërlidhjet

Mandati i shkurtër dhe i zhurmshëm i Tillersonit


Rex Tillerson
Rex Tillerson

Rex Tillerson, i shkarkuar nga detyra e sekretarit amerikan të Shtetit, me vendim të presidentit Donald Trump, hyn në librat e historisë si njëri nga shërbyesit me kohën më të shkurtër në një administratë të re.

Ngjarje të mëdha diplomatike mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut janë në zhvillim e sipër. Rusia po tregon gjoksin e saj në Evropë dhe në Lindje të Mesme. Marrëveshja bërthamore me Iranin është ende në fuqi, por Trump është zotuar se do ta rinegociojë atë. Me të gjitha këto, është e paqartë se si historia do të vlerësojë shërbimin e Tillersonit.

Sikurse Trump, Tillerson nuk ka pasur as përvojë qeveritare, as në sektorin publik, kur ka marrë detyrën. Si inxhinier me profesion, ai ka zhvilluar karrierën profesionale si udhëheqës i kompanisë më të madhe të naftës në botë, ExxonMobil.

Duke njoftuar për shkarkimin e tij, të martën, Trump e lavdëroi Tillersonin, por tha se “kanë menduar ndryshe”.

Trump dhe Tillerson duket se nuk janë pajtuar për shumë çështje, si vendore, ashtu edhe të jashtme. Kjo është bërë publike në muajin tetor, kur, sipas raporteve të disa mediave, Tillerson e ka quajtur Trumpin “idiot” në një bisedë private. Tillerson nuk i ka mohuar kurrë plotësisht këto raporte.

Edhe pse vetëm 13 muaj në detyrë, ai ka arritur të lërë gjurmë si shef i diplomacisë amerikane.

Reformat në Departamentin e Shtetit

Një nga synimet kryesore të deklaruara nga Tillerson kur ai i është bashkuar adminisratës, ka qenë reformimi i operacioneve të Departamentit të Shtetit, me afro 75,000 punonjës, përfshirë 14,000 oficerë të Shërbimit të Huaj, dhe me një buxhet të kombinuar prej 50.3 miliardë dollarësh.

Përvoja e Tillersonit në sektorin privat, duke mbikëqyrur mbi 71,000 punëtorë të ExxonMobil, është parë si thelbësore për nxitjen e reformave në Departamentin amerikan të Shtetit, të cilat kanë përfshirë shkurtime të buxhetit për 30 përqind. Ai ka sjellë këshilltarë të jashtëm për të gjetur mënyra për të përmirësuar operacionet.

Tillerson ka arritur të tkurrë agjencinë. Me pensionime të parakohshme ose shpagime të tjera, ai e ka shkurtuar stafin për 2,000 veta ose përreth 8 përqind.

Por, ish-diplomatë dhe diplomatë në pension janë ankuar hapur për mungesën e perceptuar të përvojës dhe njohurisë institucionale, duke thënë se diplomacia amerikane po dëmtohet rëndë. Shumë pozita të larta të Departamentit të Shtetit kanë mbetur pa u mbushur, ashtu si edhe pozita ambasadorësh në vende kritike, përfshirë Korenë e Jugut.

Richad Haass, këshilltar i ish-sekretarit të Shtetit, Colin Powell, dhe udhëheqës aktual i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, ka kërkuar dorëheqjen e Tillersonit në muajin tetor. Elliot Cohen, këshilltar i dy ish-sekretareve të Shtetit, Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton, e ka quajtur Tillersonin “katastrofë”. Vitin e kaluar, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka thënë se numri i vendeve boshe në Departamentin e Shtetit "është një emergjencë e sigurisë kombëtare".

Marrëdhëniet me Rusinë

Për disa, investimet në Rusi të kompanisë ExxonMobil kanë sugjeruar se Tillerson ka përvojë të pasur për t’u marrë me marrëdhëniet e Uashingtonit me këtë shtet. Tillerson ka marrë medalje të vlerësimit nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Por, vlerësimet e inteligjencës amerikane se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit më 2016, i kanë ashpërsuar këto marrëdhënie.

Optimizmi është errësuar tutje me hetimet e Kongresit dhe të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, mbi kontaktet e dyshuara të fshehta midis fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Rex Tillerson dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rex Tillerson dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

I përballur me këta dhe faktorë të tjerë, Tillerson nuk e ka penguar rrëshqitjen në marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit, thotë James Goldgeier, ish-dekan i Shkollës për Shërbime Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan.

Në krye të listës së problemeve që pengojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi është edhe aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska dhe mbështetja ruse për separatistët në lindje të Ukrainës.

Tillerson, vitin e kaluar, ka emëruar Kurt Volkerin, si të dërguar të posaçëm për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke sinjalizuar dëshirën për përparim në një çështje që ka nxitur sanksione dhe kundër-sanksione.

Por, luftimet në Ukrainë vazhdojnë.

Problemet me Korenë e Veriut

Ballafaqimi me programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe retorikën e saj luftarake ka qenë burim publik i fërkimeve midis Tillersonit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Tillerson dukej se ishte lënë anash dhe nganjëherë dëmtuar me deklaratat dhe postimet e Trumpit në Twitter.

Shtatorin e kaluar, gjatë një udhëtimi në Kinë – sponsorin më të rëndësishëm të Koresë së Veriut – Tillerson ka zbuluar se zyrtarët amerikanë janë të angazhuar në një “diplomaci të heshtur” me Korenë e Veriut.

Trump është përgjigjur, duke thënë se Tillerson “po humb kohën e tij”.

“Tillerson ka qenë i paefektshëm në frenimin e Koresë së Veriut. Por, politika e tij nuk ka qenë aq problematike sa mesazhet e përziera nga Shtëpia e Bardhë”, thotë Jean Lee, ekspert i Koreve në Qendrën Wilson.

John Hannah, këshilltar për siguri kombëtare i ish-nënpresidentit amerikan, Dick Cheney, thotë se Tillerson ka merita për nxitjen e dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë kaluar njëzri dhe kanë shtuar sanksionet kundër Koresë së Veriut.

Më 29 nëntor, Koreja e Veriut ka testuar një raketë me kapacitet për të arritur territorin e SHBA-së.

Në fillim të këtij muaji, Trump ka thënë se ka pranuar ftesën e udhëheqësit verikorean, Kim Jong Un, për t’u takuar. Data apo formati i bisedimeve nuk është qartësuar ende.

Por, nëse zhvillohen, ato do të jenë bisedimet e para të nivelit më të lartë midis dy vendeve që nga vizita në Korenë e Veriut, në vitin 2000, e sekretares së atëhershme amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Duke njoftuar për shkarkimin e Tillersonit, Shtëpia e Bardhë tha se “Trump ka dashur të krijojë ekip të ri përpara bisedimeve me Korenë e Veriut dhe për negociatat e vazhdueshme për tregtinë”.

Lufta në Siri

Nga kryengritjet e Pranverës Arabe që kanë shpërthyer gjatë mandatit të paraardhësit të Trumpit, Barack Obama, lufta në Siri është brutaliteti më i madh. Disa kritikë e kanë cilësuar luftën shkatërruese atje si dështimin më të madh të Obamës në politikën e jashtme.

Trump është zotuar se do ta ndryshojë kursin atje.

Por, përveç një sulmi raketor në prill, kundër një baze të ushtrisë siriane dhe vendimit për të armatosur milicitë kurde, analistët thonë se politika e Trumpit në Siri është kryesisht vazhdim i qasjes së paraardhësit të tij.

Mona Yacoubian, ish-zyrtare e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar, tani analiste në Institutin Amerikan për Paqe, ka thënë se përfshirja e Tillersont në negociatat për zgjidhjen politike të konfliktit në Siri e ka ndihmuar të dërguarin e posaçëm për Sirinë, Brett McGurk, i cili fillimisht është emëruar nga Obama.

"Por, administrata është zmbrapsur nga pista diplomatike, duke i dhënë terren Rusisë”, ka thënë Yacoubian për Radion Evropa e Lirë në fund të vitit 2017.

Sfidat duket se janë intensifikuar kohëve të fundit, kur presidenti sirian, Bashar al-Assad, dhe aleati i tij, Rusia, kanë shpallur fitore kundër forcave ekstremiste dhe rebele në disa zona të Sirisë. Në shkurt, forcat e koalicionit të Shteteve të Bashkuara kanë bombarduar një grup që ka përfshirë mercenarë rusë. Pastaj, gjenerali rus, Valery Gerasimov, ka paralajmëruar se forcat ruse do të përgjigjen nëse SHBA kryen sulme raketore në kreyqytetin e Sirisë, Damask.

Në ndërkohë, Turqia është duke luftuar forcat kurde në Siri, në kundërshtim me qasjen e Uashingtonit, i cili për kohë të gjatë i ka mbështetur ato.

Politika ndaj Iranit

Sikurse Trump, Tillerson ka qenë i pamatur në gjuhën e tij për Iranin. SHBA vazhdimisht e kritikon udhëheqjen iraniane për mbështetje të terrorizmit, ndërhyrje në rajon, abuzim me të drejtat e njeriut, keqtrajtim të grave dhe pakicave dhe program të diskutueshëm bërthamor.

“Regjimi në Iran vazhdon aktivitetet dhe ndërhyrjet që destabilizojnë Lindjen e Mesme”, ka thënë Tillerson para një komiteti të Senatit në muajin qershor.

Këto komente kanë reflektuar deklaratat publike të Trumpit, por Tillerson ka dalë edhe kundër tyre.

Në tetor, ai ka pranuar se ka dallime me Trumpin sa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe se pajtohet me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, se SHBA nuk duhet të tërhiqet nga ajo.​

Rex Tillerson dhe Donald Trump
Rex Tillerson dhe Donald Trump

Vendimi i Trumpit për të mos u tërhequr nga marrëveshja, por për ta bartur çështjen te Kongresi është interpretuar nga disa si sukses i Tillersonit. Tillerson ka parashikuar se aleatët e SHBA-së në Evropë do të ishin "shumë mbështetës" për një strategji të tillë Trumpit.

Konflikti izraelito-palestinez

John Kerry, paraardhës i Tillersonit, e ka bërë zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez si qëllim të punës së tij si sekretar Shteti. Trump i ka trumbetuar aftësitë e tij negociuese si prova për sukseset e administratës së tij aty ku Kerry dhe të tjerët kanë dështuar.

Në këtë mes, Tillerson është parë si konkurret i dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, të cilin Shtëpia e Bardhë e ka ngarkuar me çështjen e zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez. Kushner është i dërguar i posaçëm, edhe pse vëzhguesit dyshojnë se mund të ketë sukses, marrë parasysh mungesën e përvojës së tij diplomatike dhe qeveritare.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG