Inspiruar nga filmi 'Three Billboards outside Ebbing, Missouri', (Tri bilborde jashtë Ebing, Misuri), Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj edhe Alketa Sylaj nga grupi Haveit, kanë vendosur tri bilborde në Prishtinë me emrat e grave të vrara, krime të cilat tronditën opinionin.
Emrat që janë shkruar në këto tri bilborde, janë viktima, gra, të cilat u kishin kërkuar ndihmë policisë para se të vriteshin.
“Bilbordet janë vendosur afër stacionit të policisë pasi që policia bashkë me gjykatën e shtetin kanë dështuar në zbardhjen e rasteve edhe për më shumë njërin vrasës nuk e kanë arrestuar, ndërsa tjetrit i kanë dhënë dënim minimal”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë vajzat nga grupi Haveit.
Ato thonë se për këtë aksion janë inspiruar nga filmi 'Three Billboards outside Ebbing, Missouri', i cili flet për një nënë të dëshpëruar, e cila pas sa e sa muajve, e kuptoi se organet nuk kishin zgjidhje të rastit të vrasjes së vajzës së saj. Andaj, një ditë ajo vendosi të bëjë një ndryshim dhe të marrë një vendim të guximshëm për t’i dërguar një mesazh shefit të policisë përmes tre bilbordave, të vendosura në hyrje të qytetit.